Balluku poston disa foto si modele dhe lavdëron publikisht Edi Ramën: Ka aftësi të jashtëzakonshme
Ish-zv.kryeministrja dhe drejtuesja politike e PS-së në Fier, Belinda Balluku ka ndarë fotot nga takimi që zgjati 7 orë ditën e djeshme mes kryeministrit Edi Rama dhe drejtuesit politikë të Partisë Socialiste, që u mbajt në qytetin e Pogradecit.
Teksa shfaqet e ulur në krah të kreut të Grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla dhe drejtueses politike të Tiranës, Ogerta Manasterliu, Balluku ka dhënë një mesazh të qartë politik.
Në postimin në Facebook, ish-zv.kryeministrja shkruan se Rama dhe PS kanë pasur gjithmonë aftësinë për të dëgjuar dhe reflektuar për misionin e tyre kryesor, i cili sipas saj është shërbimi ndaj njerëzve dhe qytetarëve.
“Edi Rama dhe Partia Socialiste kanë pasur gjithmonë aftësinë e jashtëzakonshme për të dëgjuar, reflektuar dhe optimizuar politikat publike, formën dhe përmbajtjen e misionit tonë parësor, shërbimit ndaj vendit, shërbimit ndaj shqiptarëve”, shkruan Balluku në Facebook, teksa ka postuar disa foto të punuara me fotomontazh, ku ajo shfaqet si modele.



