11 Shtator, 2026

Gjysmafiqtë – Në vend të një përralle për Zahon

 Gjysmafiqtë – Në vend të një përralle për Zahon

Nga Jani Malo

Në një fshat në jug të vendit, me emrin e çuditshëm Vuno u takuan dy bashkëfshatarë të kthyer nga mërgimi. Njërin, meqë askush nuk ia di zanatin, po e pagëzojmë Fikmbledhës, ndërsa tjetrin të njohur edhe tej Perandorisë së tij, po e thërrasim Padishahu i Madh i vendit.

Ngjarja është aq banale sa, nëse ajo nuk do tregohej ndryshe nga Fikmbledhësi e ndryshe nga Padishahu, nuk do ia vlente të bëhej përrallë.

Pra, fëmijë të dashur, hapni veshët dhe dëgjoni.

Sipas Fikmbledhësit, ai, me përulje, vetëm sa deshi t’i thoshte Padishahut se sejmenët e tij i paskëshin lidhur kuajt, jo në Han siç e donin rregullat e vendosura nga vetë ai, po në mes të mexhlisit dhe se, po të guxonte ta bënte këtë një banor i zakonshëm i perandorisë, do i fluturonte koka. Pastaj, me mirësjellje, ai i paskej ofruar ca kokrra fiq të birit të Padishahut, por kjo dhuratë modeste, aspak e denjë për rangun e fisnikëve, qe keqkuptuar dhe kishte ngjallur zemërimin e gruas së tij, e cila i paskej treguar edhe vendin ku duhet t’i fuste fiqtë.

Fikmbledhësi nuk arriti të shijonte lumturinë që paskej qenë me fat që kishte mbledhur fiq e jo dardha, pasi menjëherë ndërhynë rojat e shumta të Padishahut të Madh. Ata, pa marrë parasysh lutjet ulëritëse të Fikmbledhësit, e rrëmbyen atë siç dinë ata dhe, me një nga karrocat e shumta që shoqëronin Padishahun e degdisën në një hapsanë, diku në kasabanë më të afërt, ku për hir të së vërtetës nuk e mbajtën shumë, por deri sa u largua nga fshati Padishahu dhe shpura e tij.

Sipas Padishahut, i cili për shkak të angazhimeve të shumta, e hapi gojë të nesërmen, e vërteta flet për krejt të kundërtën e asaj që paska rrëfyer Fikmbledhësi. Ky i paudhë, jo vetëm që është një dhunues i lirisë së të tjerëve, por paska edhe sharë si i përdalë një grua e një nënë, të cilën e bullizoi bashkë me fëmijën e saj në mes të rrugës.

Për fat të keq në kohën kur u zhvilluan ngjarjet e përrallës nuk ekzistonin kamerat dhe kronistët e oborrit qëlluan me pushime. Kuptohet se ngjarje të tilla banale as që ia vlen të rrëfehet e jo më të marrin statusin e përrallës, pasi të tilla në një Perandori të madhe ndodhin përditë, nëse në mes nuk do qenë fiqtë.

Imagjinoni një fik të tejpjekur të ndarë në mes nga një rrotë qerreje e eskortës së Sundimtarit. Prandaj ata përgatitën një padi për të mbrojtur dinjitetit të tyre fiqëror. Nuk mund të pranonin që e vërteta e tyre të përdhoset, të ndahet përgjysmë. Thonë se Kadiu e pranoi padinë, por pasi dëgjoi dy gjysmë të vërtetat, atë Fikmbledhësit edhe atë të Padishahut, ende nuk ka vendosur kujt t’i japë të drejtë. Sepse, Kadiu konstatoi se fiqtë nuk e dinin gjuhën e njerëzve dhe për fatin e tyre të keq, dëshminë nuk mund ta merrte në konsideratë.

Unë kaq dija e kaq thashë. Dhe, meqë qëllimi i përrallës, nuk është vetëm të përçojë moralin, por të nxisë fantazinë, e treguam këtë histori gjysmake, me dy gjysmë të vërtetat e saj.  Mbetet detyra juaj, fëmijë të dashur, t’i jepini udhë rrëfimit, deri sa e vërteta e vërtetë të dalë në shesh.

Që të ndriçohet mileti shumë kureshtar anë e mbanë Perandorisë dhe nëse juve u pëlqejnë fiqtë aq sa dhe përrallat, ndiqni fatin e tyre deri në fund.

A përfunduan fiqtë atje ku ua taksi vendin gruaja e Padishahut dhe që Fikmbledhësi, apo ato i hëngrën sejmenët në karrocë teksa shoqëronin Fikmbmbledhësin dhe po e degdisnin për në hapsanë.

Gjithsesi për një gjë të jeni të sigurt. Kur të rriteni do u mbeten në mendje dy lloje fiqsh që do bëjnë vend në histori: Fiqtë e papjekur të Gjinos dhe fiqtë e tejpjekur të Vunoit.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *