Juristi zbulon provën që mund të vendosë fatin e Sali Berishës
Proceset ndaj Ilir Metës dhe Sali Berishës vijojnë të jenë në qendër të debatit për drejtësinë shqiptare. Juristi Romeo Kara, i cili është dhe kallëzuesi i Metës në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) për aferën CEZ-DIA, thekson se fati i këtyre çështjeve duhet të përcaktohet vetëm nga provat dhe jo nga përplasjet politike. Duke folur për gjyqin e Metës në Gjykatën e Posaçme (GJKKO), ai shprehet se kallëzimi nuk përcakton fajësinë dhe se gjykata duhet të analizojë me të njëjtin standard provat e akuzës dhe ato që favorizojnë të pandehurin.
Sipas tij, rëndësia e procesit shkon përtej fatit penal të Metës, pasi mund të krijojë një standard edhe për raste të tjera të zyrtarëve të lartë. Sa i takon Sali Berishës, Romeo Kara e konsideron situatën juridike serioze dhe ngre si çështje kryesore nëse do të provohet lidhja konkrete mes vendimmarrjes së tij si kryeministër dhe përfitimit të paligjshëm të personave të lidhur me të. Sipas tij, duhet të përcaktohet nëse Berisha ka qenë thjesht kryeministër gjatë një procesi administrativ apo nëse ka përdorur funksionin e tij me dijeni për përfitimin që do të realizohej.
-Z. Kara, ju keni qenë ndër kallëzuesit e parë të Ilir Metës në SPAK. Duke parë mënyrën se si po zhvillohet gjyqi në GJKKO, a mendoni se kjo çështje mund të përfundojë me një vendim që do të ketë ndikim edhe për raste të tjera të zyrtarëve të lartë? Dhe sa besim keni te mënyra se si SPAK dhe GJKKO po e trajtojnë këtë proces?
Kallëzimi nuk e përcakton fajësinë. Atë e përcakton vetëm prova e administruar dhe vlerësuar nga gjykata me vendim të formës së prerë. Kallëzimi im ka si fabul kryesore: në dhjetor 2010 ERE ka nxjerrë një vendim për uljen e çmimit të energjisë nga KESH-i tek CEZ-i, duke i krijuar Shtetit Shqiptar një dëm jo më pak se 35 milionë euro në vit. Për mua ky akt ka lidhje me kontratën DIA-CEZ të miratuar më 1 shkurt 2011, me 1,5 milionë euro pagesa ndaj DIA-s në Nëntor 2010 për punë të pakryera edhe sot dhe me vizitën e Meta-Ismailaj në Pragë në fund të Nëntorit 2010. A është fokusuar sa duhet organi i akuzës në këtë narrativë? Jo. Duke mos pasur në bankën e të akuzuarve Bordin e ERE-s, është e kotë të flasim për një proces model.
Nuk mendoj se rëndësia e këtij procesi qëndron vetëm te fati penal i Ilir Metës. Çështja prek disa modele që janë shumë më të gjera si psh: mënyrën se si një zyrtar i nivelit më të lartë mund të ushtrojë ndikim mbi vendimmarrjen publike, marrëdhënien midis funksionit publik dhe interesave private, financimin dhe përdorimin e lobimit politik, deklarimin dhe justifikimin e pasurisë, përdorimin e personave të tretë, shoqërive dhe transaksioneve financiare dhe, mbi të gjitha, standardin e provës që duhet të aplikohet ndaj një ish-presidenti apo ish-zyrtari të nivelit të lartë. Nëse GJKKO arrin në një vendim të argumentuar fort mbi këto elemente, ai mund të bëhet referencë praktike për çështje të tjera të korrupsionit të nivelit të lartë. Sa besim kam te SPAK?
Kam besim të konsiderueshëm te SPAK-u, por jo besim të verbër. Kjo është një çështje shumë e rëndësishme. Unë kam qenë ndër personat që e kam ndjekur këtë histori shumë kohë përpara se çështja të mbërrinte në fazën ku ndodhet sot. Për mua, fakti që kallëzimi i vitit 2017 është filtruar nga organet e reja të drejtësisë dhe ka përfunduar në gjykim do të thotë se çështja tashmë duhet të shkëputet nga personi i kallëzuesit dhe të gjykohet vetëm mbi provat e dosjes. Dhe pikërisht këtë do të kërkoja nga SPAK-u: të mos mbrohet nga kritikat politike, por nga cilësia e provave dhe argumentimit juridik. Për GJKKO-n jam edhe më i kujdesshëm. GJKKO ka një detyrë edhe më të vështirë se SPAK-u. SPAK-u duhet të provojë akuzën ndërsa GJKKO duhet të kontrollojë SPAK-un.
Kjo do të thotë se, nëse ka prova që favorizojnë të pandehurin, ato duhet të analizohen me të njëjtën seriozitet si provat e akuzës. Kjo është veçanërisht e rëndësishme tani që mbrojtja po kundërshton mënyrën e interpretimit të komunikimeve telefonike dhe po kërkon administrimin më të gjerë të materialeve. Këto kërkesa nuk duhet të pranohen automatikisht, por as të refuzohen automatikisht. Nëse GJKKO e rrëzon një provë, duhet të shpjegojë pse. Nëse e pranon, duhet të shpjegojë çfarë fakti provon. Nëse dënon, duhet të tregojë zinxhirin logjik nga prova te përgjegjësia penale. Kjo është mënyra e vetme që vendimi të jetë bindës edhe për ata që nuk besojnë te SPAK-u.
Dhe këtu është testi i vërtetë. Unë nuk do ta mas suksesin e këtij procesi vetëm me pyetjen: A do të dënohet Ilir Meta?, por do ta mas me një pyetje tjetër: A do të mundet çdo shqiptar të lexojë vendimin dhe të kuptojë qartë, mbi prova dhe mbi ligj, pse Meta është ose nuk është përgjegjës? Nëse përgjigjja është po, atëherë SPAK dhe GJKKO kanë bërë një punë të mirë, pavarësisht rezultatit. A kam besim?
Po, por është besim kritik. Kam më shumë besim te institucionet e reja të drejtësisë sesa te mënyra se si drejtësia shqiptare funksiononte përpara reformës dhe pikërisht sepse kam besim, kërkoj prej tyre standard maksimal. Për këtë proces do të isha veçanërisht i prerë, duke mos kërkuar thjesht një vendim kundër Metës, por një vendim kundër çdo veprimi të paligjshëm që provohet. Ky besoj është dallimi midis hakmarrjes politike dhe drejtësisë.
-Si e vlerësoni situatën e Sali Berishës përballë SPAK-ut? A mendoni se hetimet ndaj tij mund të çojnë në masa apo pasoja të tjera ligjore, apo në këtë fazë është ende herët për të folur për një skenar të tillë?
Besoj se situata juridike është tashmë serioze. Pika që duhet shqyrtuar me shumë kujdes nga GJKKO është: A provohet lidhja konkrete midis vendimmarrjes së Sali Berishës si kryeministër dhe përfitimit të paligjshëm të personave të lidhur me të? A do të provohet se, Berisha nuk ka qenë thjesht kryeministër gjatë një procesi administrativ, por ka përdorur funksionin e tij me dijeni për përfitimin që do të realizohej? Kjo është për mua çështja kryesore për t’u provuar, ndërsa momentalisht nuk shoh ndonjë ndryshim mase ndaj tij.