Agron Llakaj rikthehet pas shumë vitesh në Top Channel, i zë vendin Salsano Rrapit
Sezoni i ri televiziv në Top Channel do të nisë me risi të shumta.
Pas ndryshimeve në emisionin “Përputhen”, ndryshime të rëndësishme priten në sezonin e ri të spektaklit të humorit “Portokalli”.
Sipas burimeve të Vox News pranë televizionit, aktori dhe moderatori i njohur Agron Llakaj pritet të marrë drejtimin e programit, duke mbajtur njëkohësisht dy role, atë të moderatorit dhe të regjisorit të spektaklit.
Ky zhvillim vjen pas largimit të moderatorit Salsano Rrapi nga “Portokalli”, si edhe të regjisorit Ilir Muhametaj.
Megjithatë, largimi i Salsano Rrapit nga “Portokalli” nuk nënkupton largimin e tij nga Top Channel.
Burime për Vox News pranë televizionit, bëjnë me dije se me aktorin dhe moderatorin e njohur janë zhvilluar negociata për përfshirjen e tij në një tjetër emision të Top Channel.
Edhe regjisori Ilir Muhametaj nuk do të largohet nga Top Channel, ndërsa mësohet se do të angazhohet në një tjetër emision.
Rikthimi i Agron Llakajt në drejtimin e “Portokallisë” pritet të sjellë surpriza për spektaklin e humorit, me Llakajn në një rol të dyfishtë, si moderator dhe regjisor.
Ronaldo Sharka dhe Heidi Baci sakaq do të jenë figurat e reja që do të shoqërojnë “Përputhen” në sezonin e ri.
Ronaldo Sharka do të ketë gjithashtu edhe rolin e autorit të emisionit, duke u përfshirë kështu në mënyrë të drejtpërdrejtë në përmbajtjen dhe konceptimin e programit.
Ndërkohë, Megi Pojani pritet të largohet nga drejtimi i “Përputhen”. Ende nuk dihet se çfarë pozicioni do të marrë ajo në Top Channel apo nëse do të jetë pjesë e një tjetër projekti televiziv.