Beton apo BE?
Nga Genc Shehu
Për gjithë këto vite, kjo qeveri e ka përdorur “Shqipërinë në BE” si një nga sloganet e saj kryesore. Por ndërkohë, po ndërton një Shqipëri ku toka, deti, malet dhe hapësirat publike trajtohen si mall për t’u shitur.
Zhvillimi nuk është beton.
Vendet e zhvilluara po kuptojnë se qytetet e jetueshme kanë nevojë për më shumë natyrë, më shumë hapësira publike, më pak makina dhe më pak beton. Ndërsa këtu, betoni na shitet si zhvillim dhe shkatërrimi i natyrës si progres.
Dhe paradoksi është i qartë: qeveria që flet më shumë për BE-në është ajo që, me politikat e saj, po e largon Shqipërinë nga standardet reale të mbrojtjes së natyrës, transparencës dhe interesit publik. Ndryshon ligjet për t’i hapur rrugë betonizimit, ndërhyn në zonat e mbrojtura, u hap dyert interesave private dhe e kthen korrupsionin në mënyrë qeverisjeje.
Me Flamingot nuk po protestojmë vetëm kundër një projekti. Po kundërshtojmë një model zhvillimi që e sheh gjithçka si mall dhe çdo copë tokë si mundësi për fitim. Një model që na merr tokën, natyrën dhe të ardhmen në emër të “progresit”.
Dhe po i tregojmë jo vetëm kësaj qeverie, por kujtdo që na sheh nga jashtë: edhe një popull i varfër, i shtypur dhe i lodhur mund të ngrihet për të mbrojtur atë që nuk ka çmim.
Tokën tonë.
Atdheun tonë.
Natyrën tonë.
Sepse kjo tokë nuk na përket vetëm neve. U përket edhe atyre që do të vijnë pas nesh.