24 Gusht, 2026

Vrasja e turistit francez në Ksamil, arrestohet në Levan autori i dyshuar. Fshihej në bagazhin e makinës

 Vrasja e turistit francez në Ksamil, arrestohet në Levan autori i dyshuar. Fshihej në bagazhin e makinës

Arrestohet në Levan 29-vjeçari Sokrat V., autor i vrasjes së një shtetasi francez rreth 20 vjeç, ngjarje e ndodhur në orët e para të mëngjesit në Ksamil. 29-vjeçari është lokalizuar nga Policia ndërsa ishte fshehur në bagazhin e një automjeti. Blutë kishin ngritur pika kontrolli në akset kryesore të vendit, pas largimit të tij nga vendngjarja.

Sipas informacioneve siguruar nga gazetarja Afrovita Hysaj, Sokrat V. ishte pjesë e stafit të lokalit ku ndodhi ngjarja. Mësohet se edhe në momentin e largimit nga zona ai kishte ende të veshur uniformën e punës. Ngjarja e rëndë u shënua rreth orës 05:15, kur shtetasi francez me inicialet M. M. u gjet pa shenja jete në shezlongët e plazhit, përpara një lokali në zonën turistike të Ksamilit.

Nga hetimet paraprake dyshohet se 20-vjeçari është goditur me thikë pas një konflikti për motive të dobëta. Pas ngjarjes, autori i dyshuar është larguar menjëherë nga vendi i krimit.

29-vjeçari nuk është i panjohur për autoritetet, pasi rezulton se është arrestuar dhe dënuar në vitin 2024 në Angli për trafik narkotikësh.

Sipas raportimeve të mediave britanike në atë kohë, 29-vjeçari u dënua me pesë vite burg nga Gjykata e Kurorës në Kembrixh, pasi pranoi një sërë akuzash, mes tyre dy akuza për posedim të lëndëve narkotike të klasit A me qëllim furnizimin, dy akuza për drejtim të rrezikshëm të automjetit, posedim kanabisi dhe drejtim automjeti nën efektin e drogës.

Ngjarja që çoi në arrestimin e tij në Angli kishte ndodhur më 30 prill. Policia e trafikut në Kembrixh e pikasi V.,duke drejtuar një Toyota RAV4 të vjedhur. Kur efektivët tentuan ta ndalonin në Catherine Street, ai u largua me shpejtësi.

Sipas raportimeve, Sokrat V., ndaloi për të lënë një pasagjer dhe më pas vazhdoi drejt Clara Rackham Road, ku braktisi automjetin dhe u largua me vrap, ndërsa dyshohet se hodhi një pako me kokainë në një shkurre. Pas ndjekjes dhe kapjes nga policia, gjatë kontrollit 29-vjeçarit iu gjetën dhe sekuestruan 560 paund, ndërsa rezultoi pozitiv edhe për drejtim automjeti nën efektin e drogës.

Por 29-vjeçari rezulton se ka qenë i përfshirë edhe në një tjetër ngjarje në Kent. Më 13 prill të vitit 2024 ku teksa po drejtonte një automjet me targa të klonuara, 29-vjeçari është konstatuar nga autoritetet dhe nuk i është bindur urdhrit për ndalim. Pas ndjekjes nga policia, makina e tij u përmbys dhe pas kontrollit iu gjetën qese me kokainë dhe targa. Në vendimin e Gjykatës së Kurorës në Kembrixh, gjyqtari e dënoi me pesë vite burg, pasi 29-vjeçari kishte pranuar akuzat ndaj tij.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *