Sabri Godo, njeriu që doli partizan 15 vjeç dhe më pas përndiqej nga Sigurimi
Nga Kastriot Dervishi
Sabri Godo dhe shpifjet ndaj tij vitet e fundit!
Këto vitet e fundit, ndër rrenat më të përhapura ka qenë ajo sikur Sabri Godo ka qenë prokuror, madje ka udhëhequr masakrën e Mirditës së vitit 1949, duke qenë vetëm 20 vjeç. Fantazia ishte aq e madhe, sa e bënin edhe ekzekutor.
Pavarësisht se emri i prokurorit dihet publikisht, falsifikatorët mbronin me heroizëm variantin e tyre sepse për ta e vërteta nuk ka rëndësi. Besoj do vijojnë sërish, mbase për të fshehur prokurorin e vërtetë të asaj ngjarjeje.
Sabri Godo (Delvinë më 8.8.1929-Tiranë 3.12.2011), u arsimua pjesërisht më gjimnazin e Tiranës. Më 15.7.1943 doli partizan në Vurg të Delvinës, duke u përfshirë në Brigadën e 6-të.
Më 27.2.1944 u bë anëtar i Partisë Komuniste në çetën “Sulo Hyso”. Mori pjesë në luftimet deri në Vishegrad të Bosnjes.
Me kthimin në Tiranë në vitin 1945 punoi instruktor partie në Shkollën e Pionierëve në Tiranë, në të cilën 17.12.1946 merr vërejtje për mungesa në punë e dekonspirime, madje duke vuajtur arrest për 8 ditë.
Në karakteristikën e datë 2.6.1947, përpiluar nga komisari i Shkollës së Pionierëve Bedri Gjergji dhe i deleguari Dhori Panariti, thuhej se nuk merrte pjesë në mbledhje ushtarake, ishte dembel në punë, i palidhur me punën dhe se ushtarakisht as merrte vesh e as donte të mësonte.
Në vijim transferohet në reparte të ndryshme të ushtrisë pa gjetur asnjëherë qetësi. Në karakteristikën e vitit 1947, nënshkruar nga komisari i Divizionit të 8-të Korçë Lefter Kasneci, shpreheshin kritika për të metat si ushtarak si komisar i kompanisë së zbulimit. Pas grindjeve të shumta në ushtri, në vitin 1947 u nxor në lirim.
Në nëntor 1947, figuron në Drejtorinë e Grumbullimit të Artikujve Blegtoralë të Ministrisë së Tregtisë. Pas ekzekutimit të dajës së tij Selaudin Toto ishte nën vëzhgimin e Sigurimit.
Në fillim të vitit 1949 transferohet sërish në Durrës si kryetar i Degës së Import-Importit. Më 15.11.1951 përjashtohet nga partia për qëndrim jo të mirë ndaj elementit të deklasuar.
Nga ana biografike, kish tre “njolla”.
-Kunat burrin e motrës, Suleman Meço, i arratisur dhe figurë e njohur e Ballit Kombëtar.
-Dajën Selaudin Toto, dënuar e pushkatuar me grupin e deputetëve në vitin 1947.
-Martesën me Nevin Izedin Vrioni në vitin 1951. Izedin Vrioni (4.2.1888-16.10.1947), disa herë kryetar i Bashkisë së Beratit, pas dënimit të parë në vitin 1945, u arrestua sërish dhe vdìq në hetuesi.

Në foto Sabri Godo në vitin 1944, kur ishte 15 vjeç.