Turizmi i hurit dhe i litarit – Mihalët e Jugut të Shqipërisë
Nga Renaldo Salianji
Mbrëmë në darkë më merr një miku im në telefon i shqetësuar.
“Ore, lejohet të bësh kamping në plazh publik”- më thotë- se ti ke qenë?
Po mo -i them- si nuk u lejoka.
Po natën a lejohet të flesh në plazh public, vazhdon?
Dhe këtu fillon historia me Mihalin e radhës në Jugun e Shqipërisë turistike.
Bashkë me disa miq të tij së bashku me familjet e tyre, nja 12-13 persona nga 10 muaj në 45 vjeç, kishin vendosur të bënin kamping në Livadh. Disa prej tyre e kishin për herë të parë këtë eksperiencë, por kurioziteti dhe dëshira për të dalë nga rutina i bëri bashkë në këtë aventurë.
Pasi kishin ngritur çadrat, kishin ndezur një zjarr dhe burrat kishin hedhur kallamat të peshkonin, shfaqet një zonjë, e shoqëruar nga disa burra.
Zonja ishte pronarja e lokalit përballë.
“Mblidhini këto çadra dhe ikni që këtu se jeni në pronën time”- ju thotë pa ju thënë as mirëmbrëma.
Personat aty, njerëz të arsimuar dhe të nderuar në profesionet e tyre, u përpoqën t’i shpjegonin se plazhi ishte publik, edhe tabela kështu thoshte.
“Publik eshtë ditën, natën nuk lejohet” -këmbëngulte zonja e inatosur, ndërsa një grup burrash rrinin stoikë pas saj.
Pas një diskutimi që nuk po e gjente dot zgjidhjen, miku im më telefonoi mua. Dhe e dëgjova me veshët e mi një pjesë të debatit me “pronaren” e vetëshpallur të plazhit në Livadh, e cila në bisedë e sipër, rezultoi të ishte edhe pronarja e një parcele me shezllona ngjitur me plazhin publik.
Në këto kushte vendosa të marr policinë në telefon, që situata të mos agravonte më tej. Fillimisht mora sallën operative në Tiranë, e cila më dha një numër të Policisë së Vlorës. Kjo e fundit më tha se do ta raportonte ngjarjen tek komisariati i Himarës dhe se do të më telefononin nga komisariati i Himarës.
Pritja për telefonatën nga komisariati i Himarës vonoi rreth 1 ore, dhe mu desh të telefonoja edhe disa herë të tjera sallën operative të Vlorës.
Një orë kjo që pronarja e plazhit publik në Livadh, bashkë me burrat që e shoqëronin, nuk shkuleshin duke traumatizuar një grup të rinjsh që kishin shkuar të kalonin një natë pushimi, mes të cilëve fëmijë nga 10 muajsh e deri në 10 vjeç.
Më në fund telefonata nga Himara erdhi. Një polic shumë i sjellshëm më kërkoi të dhënat e vendit dhe më tha se ishte shumë pranë.
Pasi polici shkoi dhe dëgjoi me veshët e tij absurditetin se nuk lejohet, se “ditën mund të bësh ç’të duash por natën nuk lejohet kampingu në plazh publik”, ligj ky i shpikur nga “pronarja” e lolalit, ju uroi natë të qetë kampistëve, ju la numrin e telefonit, nëse do të lindte nevoja sërish, dhe shkoi të sqaronte “pronaren” e plazhit.
Argumenti që “pronarja” e Livadhit i dha policit, pasi i tha se nuk ishte detyrë e tij të vinte aty por të shkonte të shuante zjarret, ishte edhe më qesharak se veprimet e saj.
“Nuk lejohet natën, se nuk kanë ku bëjnë nevojat personale turistët” dhe më pas vazhdoi me kërcënimin për policin se nëse nuk i hiqte turistët nga aty, do ti bënte kallzim në AMP për shpërdorim detyre. Vetëbesim që nuk dihet nga i buronte, por mund të merret me mend.
Polici u largua, më telefoinoi për të me sqaruar si qëndronte situata dhe se miqtë e mi mund të bënin kamping në plazh publik sa t’ju donte kokrra e qejfit.
Ndërkohë që ndodhte kjo skenë, miku im më tha se një çift i ri, me gjasë të huaj, me të parë këtë debat, ja mbathën nga sytë këmbët.
Por nuk mbaron këtu.
Zonja shkoi sërish, këtë herë në videocall ishte një burrë trim, që lëshoi ndaj turistëve një repertor të pasur kërcënimsh dhe sharjesh.
Sipas burrit në telefon, ata paskëshin qenë me fat, se ai nuk kishte ndodhur aty, por nëse nuk do të largoheshin me të lindur dielli nga plazhi publik, nuk do të ishin me aq fat, pasi ai dhe shokët e tij do të ishin aty.
Të tmerruar nga ajo që panë, me fëmijë të vegjël me vete, miku im dhe miqtë e tij u larguan në mëngjes nga aty, me gjasë për të mos u kthyer më kurrë në Livadh e ndoshta në jug.
Nuk dua ta imagjinoj se çfarë mund të kishte ndohur sikur burri i pronares së plazhit të kishte qenë aty, dhe miku im të mos kishte qenë profesor i nderuar, por një i ri gjaknxehtë.
Por, për sa kohë ne kemi akoma turizëm të hurit e të litarit, me pronarë të rërës e të ujit edhe në plazhe publike, jemi shumë larg turizmit elitar, dhe jugu, do të jetë bosh e më bosh çdo vit, ndërsa Mihalët shtohen çdo ditë.