Mësuesi i vogël i Vithkuqit
Nga Xhensil Shkëmbi
Në rrugën që të çon drejt Malit të Rungajës, në Vithkuq, takova babë e bir. Të dy mbi kuaj, duke u ngjitur në mal për të bërë dru për shtëpinë.
I ndalova te Burimi i Dhive për një copë muhabet.
Sapo ndaloi i ati dhe i bëra një shenjë, djali u hodh nga kali. Nuk priti t’i thoshte i ati asgjë. Mori kalin dhe e çoi drejt burimit për t’i dhënë ujë.
Quhet Mario. Është vetëm 12 vjeç.
– Mario, po ti 12 vjeç dhe ke kaq qejf kuajt e punën?
“Kam mësuar nga babi. Kam dy vite që ngjitem në mal për dru.”
– Po nuk lodhesh?
“Lodhem, por kënaqem. Bëjmë dru për shtëpinë. Kur bëjmë më shumë dhe babi i shet, më blen rroba për shkollë.”
Pastaj më tha se mëson në Korçë.
I ati ndërhyn:
“Shkolla ka shpenzime, ore. Duhet mbajtur djali. Ne të fshatit e kemi të vështirë qytetin.”
E shihte të birin me një lloj krenarie. Jo thjesht si fëmijën e tij, por si krahun që i ishte bërë.
E pyeta Marion:
– Nuk ke turp nga shokët? Nuk rri me telefon si ata?
“Rri, por jo shumë. Bëj detyrat dhe pastaj vij ndihmoj babin.”
-Po nuk të ngacmojnë?
“Jo. Fare. Më ka mësuar babi që puna nuk është turp.”
Kaq.
Një fjali e thjeshtë, por që më mbeti gjatë në mendje.
Pastaj i pashë bluzën.
– Mario, po këtë bluzën?
“E kam qejf Skënderbeun.”
– Atëherë do të të sjell një bluzë origjinale të Skënderbeut. Ta premtoj.
U skuq pak.
“Jo, jo. Nuk dua. Më ka mësuar babi që gjërat nuk i kërkojmë nga të tjerët. I fitojmë vetë.”
– Po dhuratë është, mo.
Mario pa të atin.
Priti një përgjigje.
I ati i bëri me sy, pranoje.
“Dakord. E pranoj. Faleminderit shumë.”
Dhe aty ku mendova se do të takoja thjesht një baba e një djalë që po ngjiteshin në mal për dru, takova diçka tjetër.
Një djalë 12-vjeçar që po mësonte shumë më tepër se çfarë mund të mësojë në një bankë shkolle.
Po mësonte se puna nuk është turp.
Se gjërat nuk kërkohen, por fitohen.
Se lodhja nuk është arsye për t’u dorëzuar.
Se familja ndihmohet.
Dhe se një palë këpucë, një bluzë apo një gjë e vogël ka tjetër vlerë kur e ke fituar me djersën tënde.
Në Vithkuq, mes maleve dhe kuajve, ndoshta takova një nga mësuesit më të mirë të ditëve të sotme.
Nuk kishte dërrasë të zezë.
Nuk kishte libra.
Nuk kishte klasë.
Kishte vetëm një mal, disa kuaj dhe një baba që po i mësonte të birit një nga mësimet më të rëndësishme të jetës:
Asgjë e mirë nuk të vjen vetë. Për gjërat që do, duhet të punosh. Duhet të përpiqesh. Dhe mbi të gjitha, duhet të mësosh t’i fitosh vetë.
Mbase ky është mësimi që Mario do ta mbajë mend gjatë gjithë jetës. E sot, Mario ishte mësuesi im. Dhe ai që na bën të reflektojmë se ka jetë përtej qytetit. Jetë e vështirë bëhet në fshatra. Në ato fshatrat që pakkush shkon…