24 Gusht, 2026

Rama “sfidon” BE-në me një ligj që u kundërshtua nga Brukseli

 Rama “sfidon” BE-në me një ligj që u kundërshtua nga Brukseli

Qeveria nuk tërhiqet nga ngritja e Dhomës Ekonomike Kombëtare.

Për të tretën herë që nga viti 2024, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit ka hedhur në konsultim publik projektligjin që detyron anëtarësimin me detyrim të bizneseve në këtë “Dhomë”: “Nevoja për hartimin e këtij projektligji lidhet me domosdoshmërinë e krijimit të një sistemi të unifikuar përfaqësimi institucional të sipërmarrjes, forcimin e dialogut ndërmjet komunitetit të biznesit dhe institucioneve publike, si dhe konsolidimin e mekanizmave të përfaqësimit të interesave ekonomike në nivel kombëtar dhe sektorial”.

Përpjekja e radhës së qeverisë vjen pas kundërshtive të ashpra nga bizneset dhe Dhomat e Tregtisë, sidomos ato që përfaqësojnë bizneset e huaja. Kjo pasi baza e re ligjore nuk vlerësohet si në përputhje me direktivat e Bashkimit Evropian dhe nuk është detyrim për negociatat e anëtarësimit.

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit u shpreh: “Megjithatë, projektligji është në përputhje me parimet e ekonomisë së tregut, lirisë së sipërmarrjes, dialogut institucional me komunitetin e biznesit dhe forcimit të institucioneve mbështetëse të zhvillimit ekonomik, të cilat promovohen në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian”.

Kostoja paraprake e zbatimit të projektligjit vlerësohet në rreth 15.4 milionë lekë për periudhën tranzitore njëvjeçare, ndërsa anëtarët do të duhet të paguajnë tarifa deri në 70 mijë lekë në vit: “Pas përfundimit të periudhës tranzitore, Dhoma Ekonomike Kombëtare pritet të financojë veprimtarinë e saj nga burimet e përcaktuara në ligj, përfshirë tarifat e regjistrimit, tarifat e shërbimeve, të ardhurat nga veprimtaritë e lejuara me ligj, si dhe burime të tjera të ligjshme financimi”.

Të gjitha subjektet tregtare me status aktiv në Regjistrin Tregtar në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, bëhen anëtar të Dhomës Ekonomike Kombëtare, “automatikisht, me forcën e ligjit”.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *