Një lajm i mire nga… Shqipëria!
Nga 1 janari i këtij viti prodhuesit e aluminit jashtë Bashkimit Europian duhet të paguajnë një tarifë për klimë, pra për çdo tonelatë të eksportuar në BE paguhet një tarifë ekstra. Ndërmarrja Everest në Tiranë, e cila prodhon profile alumini dhe eksporton në BE, nuk është e prekur fare nga tarifa e BE-së.
Pse? Sepse rryma që prodhohet në Shqipëri është e gjelbër, nga uji. Shqipëria ka hidrocentrale. Duke prodhuar me rrymë e pastër, prodhuesit që eksportojnë në BE nuk duhet të paguajnë tarifën CBAM.
Rryma që nuk vjen nga uji plotësohet me rrymë nga panelet solare të firmës Everest. Sipas Agjencisë Ndërkombëtare e Energjisë 97 për qind e energjisë në Shqipëri prodhohet nga 130 hidrocentrale të vogla dhe të mëdha.
Gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” (FAZ) i ka kushtuar para pak kohësh një shkrim ndërmarrjes shqiptare dhe përparësive që ajo ka në treg falë energjisë së pastër. FAZ shkruan: “Për kompaninë Everest kjo po del të jetë një fat i madh. Taksën e posaçme të Brukselit në kufi, përpunuesi më i madh i aluminit dhe eksportuesi i tretë më i madh në Shqipëri – vend kandidat për në BE – mund ta kursejë.
Këtu bëhet fjalë për shumë para. Në prill, BE-ja e kishte caktuar taksën e CO_2 fillimisht në 75,36 euro për ton. Po ta shumëzosh këtë me kapacitetin e Everestit për prodhimin e pjesëve të automobilave prej 26’000 tonësh, vetëm kjo jep një shifër prej miliona eurosh”.
Pronari i Everest Albert Valteri thotë se “kemi më shumë kërkesa nga klientët se më parë” për shkak se kush prodhon me energji të pastër, ka përparësi në treg nga konkurrenca, e cila duhet të paguajë tarifën ekstra të BE-së.
Gazeta gjerman shton: “Lëvizësi kryesor i rritjes ekonomike në Shqipëri ka qenë dhe mbetet turizmi. Vitin e kaluar, vendi me 2,6 milionë banorë numëroi dymbëdhjetë milionë vizitorë. Kjo ishte më shumë se dyfishi i shifrave të vitit 2021.
‘Mbresëlënëse për një vend të kësaj madhësie’, e quan këtë Volker Adams nga Shoqata Gjermane e Turizmit (Deutscher Reiseverband). Që nga viti 2021, të ardhurat nga turizmi u trefishuan duke arritur në 5,7 miliardë euro, ndërsa pjesëmarrja e tij në PBB u rrit nga 12 në 21 për qind”. (E.Robelli)