25 Gusht, 2026

Herion Mustafaraj – Beni, vogëlushi që dukej sikur hante nga malli i hasmit dhe adoleshenti i viteve 88’ që theu tabutë e kohës

 Herion Mustafaraj – Beni, vogëlushi që dukej sikur hante nga malli i hasmit dhe adoleshenti i viteve 88’ që theu tabutë e kohës

Nga Evans Drishti

Ai ishte i lindur për aktrim, gjë e cila u vu re që në filmin e tij të parë të asokohe, legjenda e kinematografisë shqiptare “Beni ecën vetë”

Një vogëlush i brishtë, i çiltër, i këndshëm, tërheqës, që të bënte për vete me ca vështrime e shikime fotozhenike. i zhytur në botën e tij fëminore, si i mbështjellë nga një pafajësi ëngjëllore, ku lodronte në një përkëdheli të pakufjshme, por edhe të dëmshme njëherazi, i mbërthyer si padashur në këllëfin e vogëlushit “çun mamaje” tentonte të shqyente rrjetën e mallkuar të merimangës e krijuar si me dashakeqësi përkundrejt dëshirave të tij.

I mbyllur brenda mureve të një shtëpie të thjeshtë shqiptare të kohës, zotëronte një mençuri si të fshehur duke tentuar ta çlironte veten nga zinxhirët e paskrupullt të një mentaliteti shpirtvrasës dhe mendjehelmues. Përbuzte me forcë çdo mirësi që i ofronin prindërit, pasi tortura mikroborxheze për ta rritur fëmijën kyçur në kafaz e gërryente përbrenda dhe s’e lejonte të dilte përjashta për të shijuar lirinë e shumëdëshiruar që mund t’ia jepte vetëm loja dhe argëtimi me shokët.

Ai s’pranonte kurrsesi të ishte as Beni i portokalleve, as Beni i çokollatave, as Beni i gatimeve të mrekullueshme shtëpiake, përkundrazi tentoi të ishte Beni i lojës së futbollit me shokët e lagjes, Beni i vrapimeve të shpejta, Beni kalorës, Beni i argëtimeve pafund, që i sillnin paqe dhe shpresë shpirtit fëminor luftarak. Po ja që prindërit ishin kapluar nga frika së “bota e jashtme” e pasmureve të shtëpisë do ta sëmurte “mbretin” e tyre.

Më në fund i erdhi shpëtimi…

Dialogu mes Xha Thomait dhe mami Letës mbetet domethënës:

Xha Thomai:       Nuk po e rritni mirë këtë fëmijë.

Mami Leta:         Si thua ti, ta lëmë rrugëve? Sa e nxorrëm pak dhe filloi të

gjuajë me kumbulla. Ne nuk do rrisim një djalë dosido, por një

njeri që nesër të bëhet …

Xha Thomai:       Po pse moj Leta pse…Fëmijët tanë që rrinë arave e majë

kumbullave gjithë ditën e ditës, që lahen në lumë, e që në

moshën e Benit vijnë nga mali hipur mbi kuaj, mos janë më të

këqinj? Ut shoq që është rritur si unë në fshat, mos është i

paedukatë? Po ju nga e keni gjetur këtë edukatë që ti mbani

fëmijët mbyllur brenda katër mureve të apartamentit? Apo për

ti ruajtur gjoja nga sëmundjet apo prapësitë e moshës? Po ç’na

ka gjetur ne xhanëm?

Mami Leta:         Vërtetë! Dhe ky i yni që rritet me portokalle, me çokollatë e

me tërë të mirat, sikur ha nga malli i hasmit.

Xha Thomai e merr në fshat dhe i mëson të bukurat dhe vështirësitë që sillte përditshmëria duke i prekur dhe shijuar gjërat vetë, me duart e veta, e jo duke i përftuar nga të tjerët.

Pak vite më vonë, ai rritet dhe përjeton adoleshencën e tij.

Këtë herë në vitet 88’ aktorin brilant e shohim në dy interpretime të mrekullueshme në filmat “Rikonstruksioni” me Manjola Nallbanin dhe “Sinjali i dashurisë” me Anila Bashin.

Tashmë e shohim në djaloshin çapkën, të shkathët, symprehtë, gjaknxehtë në rrethana të caktuar, i dlirë dhe i çiltër, me një shpirt rebel që here- herë paraqet garipin e kohës, që të jep përshtypjen e një djaloshi rrugaç, por që në fakt futet menjëherë në botën e një mendjeje fisnike dhe të urtë vetëm në emër të një dashurie sa të brishtë aq dhe hermetike. Me mençurinë e tij kishte kuptuar se vajza e bukur e ardhur në ndërmarrje shfaqej e vetmuar në kërkim të një mbështetje shpirtërore e ideore, e në të tilla rrethana kishte marrë përsipër t’i gjëndej pranë. Dhe ashtu veproi deri në fund. Me shpirtin e tij luftarak u dha mesazhin e fortë edhe të tjerëve se brenda zemrës djaloshare ruhet urtësia.

Agimi:      E paske punën me përgjegjësin

Zana:        Po pse, kujt tjetri mund t’ia jap urdhërin për të filluar punë?

Agimi:      Pse, do fillosh punë në repartin tonë?

Zana:        Ehe, pse edhe ti atje punon?

Agimi:      Po pra, dhe paskam nderin i pari nga shokët e punës që po njeh, Agim Sula, 1.82 i gjatë. …

Agimi:      Unë me zor kam mbarur 8-vjeçaren, s’ia shkrep fare për mësime, po vetëm për mësime, ama se për të tjerat s’ma ha qeni shkopin.

“Po vetëm për mësime ama, se për të tjerat s’ma ha qeni shkopin” do ishte reagimi domethënës i mençurisë së një adoleshenti të viteve 88’. Shkathtësia dhe mprehtësia nuk do vinte vetëm nga mësimet, por më shumë nga një komunikim i çiltër dhe vëzhgim i hollësishëm i temperamentit të individit. Ai përulet dhe turpërohet edhe nga gabimi i çastit, por ndërgjegjësohet duke u maturuar në sjellje dhe reagime.

Sot kinematografia shqiptare rënkon nga mungesa e produkteve të reja.

Sot heroi ynë Herion Mustafaraj mbush plot 58 vjeç, por pavarësht roleve të pakta për shkak të emigrimit në Amerikë, arrin të rigjallërojë dhe ripërtërijë ndjesitë edhe pas kaq vitesh, pasi aktrimi s’ishte një lojë, por përjetësim.

Nëse asokohe prekja e dorës së djalit apo të vajzës, përqafimi, përkëdhelia apo larg qoftë puthja përbëin një tabu për normat shoqërore, sot të tilla veprime tashmë kthehen në të natyrshme dhe në të shumtën e rasteve s’tërheqin vëmendje.

A përbën kjo një civilizim të shoqërisë? Po!

Por, në realitetin e sotëm hasemi me fenomenin “I forti i lagjes”, e për “të mbrojtur” dashurinë “I forti” shkon edhe në vrasje ose në therje. Pra i merr jetën tjetrit, shkatërron jo vetëm një individ, por edhe një familje, e për rrjedhojë lëndon një shoqëri të tërë.

A përbën kjo një civilizim të shoqërisë? Nëse dikush mendon se po, atëherë problemi qëndron në mënyrën e zhvillimit të individit. Pasi persona të tillë as nuk e kanë kuptuar se ç’është dashuria as nuk arrijnë dot të gjykojnë se një i fortë i tillë s’bëhet hero.

Ndaj janë të domosdoshëm aktorë të tillë si Herion Mustafaraj edhe në kohët e sotme për të ofruar role të spikatura që brezi i ri të kuptojë drejtë dhe saktë edhe rebelimin edhe urtësinë e moshës së re

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *