25 Gusht, 2026

Dy vjet i shtruar në Spitalin e Përmetit, e vërteta e pacientit që ka humbur një këmbë dhe rrezikon dhe tjetrën

 Dy vjet i shtruar në Spitalin e Përmetit, e vërteta e pacientit që ka humbur një këmbë dhe rrezikon dhe tjetrën

Drejtoria Rajonale e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor Vlorë, ka reaguar pas denoncimit të një pacienti në Spitalin e Përmetit, që është i shtruar prej dy vitesh aty.

Ai pretendon se nuk kujdesen si duhet për të dhe i kanë hequr dhe televiziorin.

Reagimi

Në lidhje me rastin e bërë publik të z. D.E, Spitali Bashkiak Përmet dhe Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor sqarojnë se pacienti ndodhet prej datës 27 maj 2024 në kujdesin e strukturave shëndetësore, pas një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe në kushtet e një situate të vështirë sociale dhe familjare.

Gjatë kësaj periudhe, pacientit i është ofruar në vazhdimësi trajtim mjekësor, kujdes infermieror, asistencë për higjienën personale dhe mbështetje gjatë lëvizjes në ambientet e spitalit.

Paralelisht, janë angazhuar strukturat sociale vendore dhe rajonale për gjetjen e një zgjidhjeje afatgjatë.

Në bashkëpunim me Bashkinë Përmet janë siguruar ndihmë ekonomike, mbështetje ushqimore dhe pagesa e kontributeve të nevojshme për pensionin. Më 11 gusht 2026 është kryer edhe aplikimi për lidhjen e pensionit.

Pretendimet e bëra publike lidhur me mungesën e asistencës dhe çështje të tjera konkrete po verifikohen administrativisht. Çdo përgjegjësi që mund të rezultojë nga ky verifikim do të trajtohet sipas procedurave përkatëse.

Rasti i z. D.E është një rast kompleks shëndetësor dhe social, i cili kërkon bashkërendim të vazhdueshëm mes strukturave shëndetësore, shërbimeve sociale dhe pushtetit vendor.

OSHKSH do të vijojë ndjekjen e tij deri në sigurimin e një zgjidhjeje të qëndrueshme për kujdesin dhe mbështetjen e pacientit.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *