Para dhe ndikim, si Emiratet e Bashkuara Arabe fituan Washington-in
Njëzet vjet më parë, Emiratet e Bashkuara Arabe ishin në qendër të një stuhie politike në Washington.
Sot, vendi i Gjirit shihet nga politikanë dhe drejtues ushtarakë amerikanë si një prej aleatëve më të aftë të Shteteve të Bashkuara në Lindjen e Mesme.
Financial Times analizon se si Abu Dhabi e realizoi këtë transformim përmes një kombinimi të fuqisë financiare, lobimit dhe ndërtimit të marrëdhënieve me elitën politike amerikane.
Pika e kthesës erdhi në vitin 2006, kur kompania DP World tentoi të blinte operacionet në gjashtë porte të mëdha amerikane. Kundërshtimi në Kongres e detyroi kompaninë të tërhiqej.
Mohamed bin Zayed al-Nahyan, asokohe princi i kurorës dhe aktualisht president i Emirateve, arriti në përfundimin se amerikanët kishin një perceptim thelbësisht të gabuar për vendin e tij.
Abu Dhabi nisi më pas një përpjekje afatgjatë për ta ndryshuar atë.
Një nga instrumentet kryesore ishte paraja.
Sipas të dhënave të OpenSecrets të cituara nga FT, Emiratet kanë shpenzuar më shumë se 270 milionë dollarë në Washington vetëm gjatë 10 viteve të fundit.
Para kanë shkuar gjithashtu drejt disa prej instituteve më të njohura kërkimore amerikane, ndërsa Abu Dhabi ka investuar në konferenca dhe në ndërtimin e lidhjeve me politikën, universitetet dhe mediat.
Në qendër të kësaj strategjie ka qenë edhe ambasadori emiratas Yousef al-Otaiba.
“Otaiba ka qenë i palodhur në krijimin e mbështetësve në të dyja partitë” amerikane, tha për FT një ish-zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit.
Marrëdhënia u forcua më tej në vitin 2020, kur Emiratet u bënë nënshkruesi kryesor i Marrëveshjeve të Abrahamit të promovuara nga Donald Trump, duke normalizuar marrëdhëniet me Izraelin.
Por ndikimi i Abu Dhabi-t tashmë shkon shumë përtej diplomacisë dhe mbrojtjes.
Fondet dhe kompanitë e mbështetura nga shteti emiratas kanë krijuar partneritete të mëdha me industrinë amerikane të teknologjisë dhe inteligjencës artificiale.
Investimet përfshijnë kompani si OpenAI dhe xAI, si dhe interesa në prodhuesit e çipave GlobalFoundries dhe Cerebras Systems.
Afrimi me administratën Trump ka sjellë edhe polemika. Administrata u ka dhënë Emirateve qasje në çipa të avancuar amerikanë, ndërsa pak muaj më parë një kompani e drejtuar nga këshilltari emiratas i sigurisë kombëtare kishte investuar 500 milionë dollarë në biznesin e kriptomonedhave të familjes Trump.
Pavarësisht ndikimit të fituar, Emiratet nuk arritën të pengonin Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin që të nisnin luftën kundër Iranit këtë vit. Megjithatë, Abu Dhabi ka zgjedhur të thellojë më tej marrëdhëniet me Washington-in dhe Izraelin.
“Emiratet kanë shumë ndikim këtu në Washington – tepër ndikim”, tha senatori demokrat Chris Van Hollen. “Kështu, atyre u janë toleruar gjëra që vendeve të tjera nuk do t’u toleroheshin”.