25 Gusht, 2026

La Tiranën për qytetin e lindjes – Gazetari që i “ndryshoi fytyrën” Përmetit

 La Tiranën për qytetin e lindjes – Gazetari që i “ndryshoi fytyrën” Përmetit

Nga Altin Dangëllia

Ai është një ndër gazetarët më provokues prej vitesh.

Kjo e bën të dashur për një pjesë dhe të urryer për pjesën tjetër.

Por për Përmetin, Bledi Mane është një ndër njerëzit që i ka ndryshuar fytyrën qytetit.

Ai ka meritën, se është një ndër të parët, që ka promovuar turizmin në këtë qytet.

Më shumë se 15 vjet më parë, ndryshe nga të tjetër, që linin Përmetin për Tiranën apo për të emigruar, ai vendosi të kthehej në qytetin e lindjes, pasi kishte jetuar në Europë dhe Tiranë për një kohë të gjatë.

Filloi punë me vetëm 300 mijë lekë të vjetra në zyrën e kulturës dhe nisi atë, që në Përmet deri atëhere as nuk mendohej: Të promovonte turizmin.

“Kush do ta mendonte se një ditë, Përmeti do të kthehej në një qytet turistik”, më pati thënë disa vite më parë, një djalë i lindur dhe rritur në Përmet.

Dhe kishte të drejtë, pasi askush nuk e imagjinonte një gjë të tillë.

Por jo Bledi.

Duke vënë në punë vizionin e tij, lidhjet si gazetar dhe talentin për të shkruar, pak nga pak Përmeti filloi të promovohej jo vetëm si një qytet i qetë, por edhe i bukur, ku mund të kaloje një fundjavë të këndshme.

Dhe sot, mund të duket e habitshme, por Përmeti konkurron Sarandën për numrin e turistëve (Gjirokastrën nuk e llogarit, se e ka tejkaluar me kohë).

Kuptohet, kjo nuk ka ndodhur vetëm prej tij, pasi edhe Qeveria socialiste ka investuar dhe e ka promovuar ndjeshëm Përmetin ndër këto vite.

Por ai ka meritën, se ndër të tjera, ka krijuar edhe një festival kombëtar tashmë, me emrin “Nona”, që mbahet prej 7 vitesh rresht në Përmet, duke gjallëruar qytetin e braktisur nga banorët dhe duke sjellë mijëra turistë dhe të ardhura të ndjeshme për bizneset e zonës.

Ndaj, e meriton një mirënjohje të vogël.

Edhe nga ata që e urrejnë dhe e akuzojnë me pa të drejtë, se e përdor Përmetin për qëllimet apo përfitimet e tij.

Është i vetmi që e promovon privatisht, herë në Top Channel ku punon, herë me faqen e tij Bashkësia Përmet dhe çdo verë me festivalin që organizon!

Kush është një njeri tjetër, që e bën këtë gjë për Përmetin?!

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *