Sa ditë në vit punojmë për të paguar koston e korrupsionit?
Një hamendësim shumë i përafërt, sugjeron se kostoja e përgjithshme e korrupsionit, kostoja e parave që ne i paguajmë taksa dhe që vidhen, apo sasia e parave që paguhen ryshfet, në rastin e Shqipërisë varion nga 1 deri në 2 miliardë euro në vit.
Paratë vidhen në shumë mënyra: përmes procedurave të manipuluara të tenderimit të punëve publike, si rrugë e të tjera, përmes procedurave të manipuluara për blerjen e mallrave, të tilla si ilaçet, përmes kufizimeve të paligjshme në konkurrencë, apo përmes punësimeve fiktive në administratë publike.
Vidhen edhe përmes shtrëngimit të qytetarëve për të paguar përkundrejt shërbimeve që administrata i ka detyrim ligjor që t’i japë, por që nuk i jep përveçse përkundrejt parasë së zhvatjes.
Ndërsa 1 deri në 2 miliardë euro vlerësohet se është kostoja e përgjithshme e korrupsionit, ajo që duhet të kemi parasysh është që, çdo lek i vjedhur, para se të vidhet, duhet të “prodhohet” dhe paraja “prodhohet” vetëm përmes punës.
Me një fjalë, në mënyrë që, fjala vjen, Ermal Beqiri, të blejë kështjellë në Francë me vlerë 2.6 milionë euro, një numër i caktuar shqiptarësh duhet të punojnë dhe të paguajnë taksa. Vetëm pas kësaj, një zyrtar ka çfarë të vjedhë.
Në Shqipëri ka afërsisht 765 mijë të punësuar me pagë mesatare bruto prej 90 mijë lekësh në muaj. Rrjedhimisht, dita e punës, është afërsisht 4 mijë lekë (me muaj 22 ditë pune në muaj).
Rrjedhimisht, për të paguar koston e korrupsionit sipas vlerësimit të ulët, 1 miliardë euro, të 765 mijë shqiptarët që punojnë 24 milionë ditë pune. Mesatarisht punohet 30 ditë në vit për të paguar koston e korrupsionit sipas vlerësimit minimal.
Kështjella e Ermal Beqirit në Francë me kosto 2.6 milionë euro ka kushtuar 63 mijë ditë pune. Secili prej 765 mijë shqiptarët që punojnë, ka punuar rreth 40 minuta në mënyrë që Beqiri të blejë kështjellë në Francë. (Diary of Tirana)