24 Gusht, 2026

Rusia zgjeron “flotën hije” të anijeve, përpara ndalimit të BE-së

 Rusia zgjeron “flotën hije” të anijeve, përpara ndalimit të BE-së

Rusia po zgjeron në mënyrë të heshtur flotën e saj të anijeve për transportin e gazit natyror të lëngshëm (LNG), në përgatitje të ndalimit të importeve të LNG-së ruse nga Bashkimi Evropian, i cili do të hyjë në fuqi në vitin 2027.

Sipas të dhënave të kompanisë së analizës detare Windward, gjatë gjashtë muajve të fundit janë blerë të paktën tetë anije të përdorura për transportin e LNG-së, të cilat tashmë përdoren për ngarkesa ruse. Flota numëron aktualisht 25 anije, përfshirë dy transportuesit e parë të ndërtuar në kantierin rus Zvezda.

Zgjerimi i kësaj flote pritet t’i mundësojë Moskës të vazhdojë eksportet e gazit edhe pas ashpërsimit të sanksioneve evropiane, duke ndjekur një strategji të ngjashme me atë të përdorur për eksportet e naftës përmes të ashtuquajturës “flotë në hije”.

Bashkimi Evropian ka vendosur që nga viti 2027 të ndalojë importin e të gjithë gazit natyror të lëngshëm rus. Aktualisht, vendet e BE-së janë blerësit kryesorë të prodhimit të uzinës Yamal në Siberi, ndërsa projekte të tjera, si Arctic LNG 2 i kompanisë Novatek, janë tashmë objekt sanksionesh.

Ndërkohë, Komisioni Evropian ka vendosur që çdo shitje e anijeve LNG shtetasve rusë të njoftohet në Bruksel, por nuk ka ndaluar transportin e LNG-së drejt vendeve të treta me anije evropiane.

Ndryshe nga flota “në hije” e naftës, e cila numëron mbi 1 000 anije, transporti i LNG-së është shumë më kompleks. Këto anije janë ndër më të specializuarat në botë, kushtojnë rreth 300 milionë dollarë secila dhe përdorin sisteme të avancuara për ta mbajtur gazin në temperaturën -162 gradë Celsius gjatë transportit.

Për më tepër, një pjesë e madhe e prodhimit rus ndodhet në Arktik, çka kërkon përdorimin e anijeve të posaçme të afta për të lundruar në akull.

Ekspertët vlerësojnë se Rusia mund të hasë vështirësi në ndërtimin e transportuesve të rinj, pasi kompania franceze GTT, që dominon tregun e sistemeve të ruajtjes së LNG-së, ndërpreu kontratat me Rusinë pas vendosjes së sanksioneve të Bashkimit Evropian.

Si rezultat, Moska pritet të mbështetet gjithnjë e më shumë në blerjen e anijeve të përdorura për të ruajtur eksportet e gazit natyror në vitet e ardhshme.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *