24 Gusht, 2026

Dështon operacioni “Fiku” në Sarandë – U nis nga Lukova me fiqtë e gjyshes, u arrestua për drogë, por gjykata e la të lirë

 Dështon operacioni “Fiku” në Sarandë – U nis nga Lukova me fiqtë e gjyshes, u arrestua për drogë, por gjykata e la të lirë

Nga Arben Llangozi, avokat

Një operacion antidrogë i zhvilluar në Sarandë, ku sipas njoftimit zyrtar të Policisë u sekuestruan rreth 5 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa dhe u arrestuan katër persona, ka marrë një kthesë të papritur pas vendimit të gjykatës.

Mes të arrestuarve ishte edhe një i ri, i cili, sipas familjarëve dhe informacioneve të paraqitura në gjykatë, nuk kishte asnjë lidhje me automjetin ku u gjet lënda narkotike dhe as me personat e dyshuar për veprën penale.

Sipas këtij versioni, i riu kishte qenë në Lukovë, në banesën e gjyshes së tij. Pasi kishte ngrënë fiq me të, gjyshja i kishte dhënë edhe një qese me fiq për t’ua çuar prindërve në Sarandë. Pas përqafimit me gjyshen, ai ishte nisur drejt Sarandës.

Rastësisht, automjeti i tij ndodhej përpara makinës ku udhëtonin personat tek të cilët policia gjeti lëndën narkotike. Pavarësisht kësaj, ai u ndalua, u shtri përtokë, u prangos dhe u shoqërua në Komisariatin e Policisë Sarandë.

Sipas informacionit, i riu vuri menjëherë në dispozicion telefonin e tij celular. Nga këqyrja nuk rezultoi asnjë komunikim telefonik apo elektronik me personat e arrestuar. Ai u shpjegoi efektivëve se kishte qenë në banesën e gjyshes, e cila ishte e pajisur me kamera sigurie.

Pamjet filmike të administruara, sipas familjarëve, treguan se ai kishte qenë realisht në banesën e gjyshes, ishte takuar me të, kishte marrë qesen me fiq dhe ishte nisur drejt Sarandës.

Madje, sipas denoncimit, në automjet ndodhej ende qesja me fiq që gjyshja i kishte përgatitur, por gjatë transportimit nga Lukova drejt Sarandës fiqtë janë konsumuar nga punonjës të policisë.

Pavarësisht mungesës së komunikimeve me personat e tjerë, mungesës së çdo lënde narkotike në automjetin e tij dhe ekzistencës së pamjeve filmike që, sipas mbrojtjes, provonin arsyen e udhëtimit, policia ka kërkuar arrestimin e tij. Sipas informacionit të pretenduar nga burime brenda policisë, prokurorja e çështjes, Esmeranda Basho, ka urdhëruar arrestimin me arsyetimin se çështjen “ta vlerësojë gjykata”.

Por pikërisht në gjykatë, kjo logjikë nuk gjeti mbështetje.

Gjykata nuk caktoi masë sigurimi ndaj të riut dhe e la të lirë, pasi vlerësoi se nuk ekzistonin dyshime të arsyeshme që ai kishte kryer veprën penale për të cilën ishte arrestuar.

Ky vendim ngre pikëpyetje serioze mbi bazën mbi të cilën u privua nga liria një qytetar, kur më pas vetë gjykata arriti në përfundimin se mungonin elementet e nevojshme për vendosjen e një mase sigurimi.

Arrestimi nuk mund të përdoret si një procedurë automatike apo si një mënyrë për t’ia kaluar barrën e vendimmarrjes gjykatës. Heqja e lirisë së një personi kërkon ekzistencën e një dyshimi të arsyeshëm, të mbështetur në prova konkrete dhe individuale, jo në hamendësime apo në faktin se një automjet ndodhej rastësisht pranë një tjetri.

Në fund, “Operacioni Fiku” rezultoi të kishte një fund krejt ndryshe nga ai i paraqitur fillimisht. Një i ri që, sipas mbrojtjes, ishte nisur nga Lukova me fiqtë e gjyshes, u prangos si i dyshuar për trafik droge, ndërsa më pas u la i lirë nga gjykata për mungesë të dyshimit të arsyeshëm se kishte kryer veprën penale.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *