“Spanja nuk pranon leksione nga Italia” – Tensione Romë-Madrid pas krizës në Ceuta
Pak ditë pas valës së madhe migratore që goditi enklavën spanjolle të Ceutës, ku mbi 70 mijë persona mbërritën me not nga Maroku, është hapur një përplasje e re në marrëdhëniet mes Romës dhe Madridit.
Pasi kryeministrja italiane Giorgia Meloni pezulloi përkohësisht zbatimin e rregullave të Zonës Schengen dhe së bashku me Danimarkën promovoi një letër të hapur drejtuar Bashkimit Evropian për krizën migratore, me kritika të drejtpërdrejta ndaj mënyrës se si qeveria e Pedro Sánchez e ka menaxhuar situatën, tensionet janë rritur.
Këtë herë, përplasjen mes dy vendeve e ndezën deklaratat e ministrit të Jashtëm spanjoll, José Manuel Albares. Në një intervistë për televizionin publik TVE, duke folur për krizën në Ceuta, ai u shpreh se “ka pasur qeveri që nuk kanë qenë në lartësinë e duhur për të përballuar situatën e migrantëve” dhe se “qeveria italiane është një prej tyre”.
“Italia është e mbingarkuar me migrantë në Lampedusa dhe është vendi me numrin më të madh të hyrjeve të parregullta në Evropë. Nuk ka qenë në gjendje ta zgjidhë situatën, ndryshe nga Spanja”, tha Albares.
Ministri spanjoll theksoi se autoritetet e Madridit, brenda pak orësh, kthyen në Marok pothuajse të gjithë migrantët që kishin kaluar kufirin. Ai shtoi se Ceuta dhe Melilla “nuk kanë përbërë kurrë kërcënim për Zonën Schengen”, ndërsa “zona të tjera evropiane kanë qenë problematike dhe Spanja ka treguar gjithmonë solidaritet”.
Duke iu referuar Lampedusës, Albares deklaroi: “Italia do të donte ta zgjidhte situatën atje”, duke shtuar se gjatë viteve në Itali kanë mbërritur aq shumë migrantë, saqë një pjesë e tyre është pranuar edhe nga Spanja.
Nga ana tjetër, qeveria italiane i hodhi poshtë këto deklarata. Përgjigjja erdhi përmes një komunikate të Ministrisë së Brendshme italiane, ku thuhet se “nga janari i këtij viti e deri më sot është regjistruar një rënie e ndjeshme e zbarkimeve të migrantëve të parregullt, falë politikave të qeverisë Meloni”. Sipas të dhënave zyrtare, ulja është 55% krahasuar me vitin e kaluar dhe rreth 82% krahasuar me vitin 2023.
Në fund të deklaratës nuk mungoi edhe një thumb ndaj Madridit.
“Sa i përket të ashtuquajturit ‘pushtim’ të Lampedusës, aktualisht në ishull ndodhen vetëm 98 migrantë dhe prej kohësh nuk ka më asnjë situatë emergjente.”
Vetëm dy ditë më parë, edhe kryeministri spanjoll Pedro Sánchez ka reaguar ndaj nismave të Melonit dhe liderëve të tjerë sovranistë evropianë, të cilët, sipas tij, po përpiqen të shfrytëzojnë krizën e Ceutës për të ashpërsuar kontrollin e kufijve.
“Solidariteti dhe empatia mund të jenë zgjedhje. Respektimi i traktateve evropiane dhe i fakteve, jo”, deklaroi Sánchez.
Ai e mbështeti qëndrimin e tij me statistika mbi hyrjet e migrantëve në Evropë:
Përmes Italisë: 478.600.
Përmes Ballkanit Perëndimor: 340.600.
Përmes Greqisë: 259.800.
Përmes Spanjës: 234.760.
Përmes kufirit lindor: 48.000.
Mesazhi i tij ishte i qartë: Spanja nuk pranon leksione nga Italia.
Ndërkohë, Italia është e gatshme ta përdorë rastin e Ceutës për t’i kërkuar Brukselit përshpejtimin e krijimit të qendrave të riatdhesimit në vende të treta, sipas modelit të marrëveshjes me Shqipërinë, me financim nga fondet e Bashkimit Evropian dhe jo nga taksapaguesit italianë.
Për të ulur tensionet ndërhyri presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
“Emigracioni është një sfidë evropiane që kërkon një përgjigje evropiane. Për këtë arsye, solidariteti është thelbësor”, shkroi ajo në një letër drejtuar kryeministrit spanjoll.
Sipas saj, menaxhimi i situatës kërkon dyfishimin e përpjekjeve në pesë fusha kryesore:
-parandalimin e hyrjeve të parregullta përmes bashkëpunimit me vendet e treta;
-forcimin e kufijve të jashtëm të BE-së;
-zbatimin e sistemeve të paralajmërimit të hershëm;
-shkatërrimin e rrjeteve të trafikantëve të qenieve njerëzore;
-përshpejtimin e procedurave të riatdhesimit.
Në fund të letrës, Von der Leyen theksoi se “Spanja mund të mbështetet në përkrahjen e plotë të Komisionit Evropian.”