EMRAT: Kush janë biznesmenët që qëlluan me armë në Palasë (asnjë media nuk i përmend)
Biznesmen apo bandit? Kjo është një pyetje që u shkon për shtat shumë prej biznesmenëve më të mëdhenj të vendit. Një ditë më parë në Palasë është regjistruar një ngjarje e rëndë, të cilën policia e Shtetit me sa duket po mundohet ta fshehë.
Nga ambientet e një jahti luksoz, në të cilin kanë qenë duke pushuar disa nga njerëzit më të pasur të Shqipërisë, është qëlluar me armë në drejtim të plazhit të Palasës.
Pasi ngjarja u bë publike, policia njoftoi se djali i pronarit të ‘Brunes’, Bruno Çela (31 vjeç) dhe një biznesmen me precedent penal për drogë, Pashk Gjini (60 vjeç), janë dy nga katër të ndaluarit në jahtin në Palasë për të cilin u raportua se pati të shtëna me armë.
Çela është gjithashtu anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës si pjesë e listës së PSD-së. Ndërkohë Gjini është pronar i një prej kompanive më të mëdha të prodhimit të betonit dhe ndërtimit në Shqipëri, i cili ka marrë miliona edhe nga tenderat publikë.
Veç tyre, u ndaluan edhe 31-vjeçari Leonard Hasa dhe 49-vjeçari Afrim Kastrati gjatë ndjekjes nga policia mbrëmjen e së dielës që zgjati rreth 2 orë.
Gjatë kontrollit të tyre dhe jahtit, dy orë pasi ishte qëlluar me armë, të katërt kanë deklaruar se nuk qëndrojnë pas të shtënave. As në jaht nuk është gjetur pistoletë a ndonjë send tjetër i jashtëligjshëm. Policia u ka marrë shenjat e duarve për t’i analizuar në barut dhe i ka lënë të lirë pa asnjë akuzë, ndërsa vijon hetimet.
Sipas policisë, jahti i ishte drejtuar Himarës. Ndërkohë burime thonë se ishte orientuar drejt Greqisë në tentativë për t’u arratisur, por më pas ka ndryshuar kurs. Gjatë ndjekjes, vijojnë burimet, një prej personave në bord u hodh në det, por u kap nga Policia Kufitare.
Një tentativë e bënë edhe nga toka, së cilës u përpoqën t’i afroheshin me gomone. Por, sapo në breg panë policët, u kthyen mbrapsht.
Në përpjekje për t’iu shmangur policisë, jahti fiku dritat dhe vijoi lëvizjen në det.