Pse Qeveria po “reformon” hartën administrative dhe Policinë në të njëjtën kohë?
Nga Klementin Mile
Reforma në Policinë e Shtetit dhe reforma e re territoriale nuk duhen kuptuar si dy vendime thjesht administrative.
Në fakt, që të dyja këto reforma, adresojnë të njëjtën gjë: pushtetin.
Në politikë, reforma nuk është gjithmonë përpjekje për ta bërë shtetin më efikas. Shpesh është përpjekje për ta bërë pushtetin më të qëndrueshëm.
Nëse i shohim të dyja këto reforma së bashku, del në pah një logjikë më e thellë.
Nga njëra anë, drejtori i Përgjithshëm i Policisë merr më shumë kontroll mbi emërimet dhe shkarkimet. Nga ana tjetër, zvogëlohet numri i bashkive dhe, bashkë me të, edhe numri i qendrave autonome të vendimmarrjes lokale.
Në pamje të parë, janë dy reforma të ndryshme.
Në thelb, janë e njëjta reformë.
Të dyja e përqendrojnë pushtetin.
Çdo lider përballet vazhdimisht me pyetjen “Nga mund të më vijë sfida e radhës?”
Jo gjithmonë nga opozita.
Shpeshherë sfida vjen nga brenda sistemit, nga drejtues që bëhen autonomë, që krijojnë rrjete besnikërie të tyret dhe fillojnë të funksionojnë si qendra më vete.
Për këtë arsye, liderët nuk përpiqen vetëm të fitojnë mbështetës të rinj, por edhe të ulin numrin e aktorëve që rrezikojnë të bëhen të pavarur.
Prandaj këto reforma kanë një emërues të përbashkët.
Ato nuk rrisin thjesht efikasitetin administrativ, por edhe kontrollin vertikal të sistemit.
Sa më pak nyje autonome të ketë organizata, aq më i drejtpërdrejtë bëhet zinxhiri i besnikërisë.
Natyrisht, çdo përqendrim pushteti vjen me një çmim nga pas.
Kur kompetencat shkojnë lart, lart shkon edhe përgjegjësia. Nëse sistemi funksionon më mirë, merita i shkon qendrës. Nëse dështon, qendra nuk ka ku ta shpërndajë më përgjegjësinë.
Pra, nuk është çështja nëse reforma e Policisë dhe ajo territoriale janë të mira apo të këqija.
Tjetër gjë merr rëndësi.
A po ndërtohet një shtet më efikas, apo një pushtet më i vështirë për t’u sfiduar?