26 Gusht, 2026

SHBA nënshkruan kontratë rekord 58.6 miliardë dollarë për raketat Patriot

 SHBA nënshkruan kontratë rekord 58.6 miliardë dollarë për raketat Patriot

Departamenti amerikan i Mbrojtjes i ka dhënë kompanisë Lockheed Martin një kontratë me vlerë deri në 58.6 miliardë dollarë për prodhimin e raketave interceptuese Patriot.

Këto, në një përpjekje për të rritur rezervat e armëve kundërajrore, të cilat janë vënë nën presion nga lufta në Ukrainë dhe operacionet ushtarake në Lindjen e Mesme.

Sipas Pentagonit, marrëveshja shndërron një kontratë njëvjeçare prej 4.7 miliardë dollarësh, të nënshkruar në prill, në një program shtatëvjeçar prokurimi që do të mbulojë periudhën fiskale 2026-2032.

Administrata e presidentit Donald Trump ka shtuar presionin ndaj industrisë së mbrojtjes për të përshpejtuar prodhimin e municioneve dhe sistemeve të mbrojtjes ajrore, ndërsa kërkesa është rritur ndjeshëm për shkak të mbështetjes ushtarake për aleatët dhe përdorimit të armëve amerikane në operacionet kundër Iranit.

Sipas Reuters, negociatorët e Pentagonit po punojnë për të përshpejtuar ritmin e prodhimit, ndërsa kompanitë kërkojnë miratimin e fondeve nga Kongresi për të zgjeruar kapacitetet industriale.

Lockheed Martin bëri të ditur se financimi i ri do t’i mundësojë kompanisë të trefishojë kapacitetin e prodhimit të raketave Patriot PAC-3 MSE deri në fund të vitit 2030, duke rritur prodhimin në rreth 2 mijë raketa në vit.

Raketa PAC-3 MSE përdoret nga sistemi i mbrojtjes ajrore Patriot për të neutralizuar raketa balistike, raketa lundruese dhe avionë.

Një raport i publikuar këtë javë nga Center for Strategic and International Studies (CSIS) vlerëson se ushtria amerikane ka aktualisht më pak se 1 mijë raketa Patriot dhe më pak se 250 interceptorë THAAD, dy nga sistemet më të rëndësishme të mbrojtjes ajrore të SHBA-ve, të cilat janë përdorur intensivisht gjatë muajve të fundit në Lindjen e Mesme.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *