Socialistët propozuan shkrirjen e 61 bashkive, shpërthen kryebashkiaku i Memaliajit: Sot protestë për të mbrojtur vendin tonë
Propozimi i Partisë Socialiste për krijimin e hartës së re të Shqipërisë, ku u kërkua shkrirja e 61 bashkive, duke kërkuar të jenë në total vetëm 46 bashki, është pasuar me mospëlqim të shumë qytetarëve por dhe kryebashkiakëve të qyteteve të vogla.
Një reagim i ashpër në lidhje me ndryshimet e reja ka ardhur dhe nga kryebashkiaku i Memaliajt i cili nxjerr në pah ecurinë pozitive të ekonomisë së qytetit të tij ndër vite, ndërsa shprehet se vendimi për shkrirjen e bashkisë, sipas tij nuk është i drejtë.
Për rrjedhojë, kryebashkiaku i Memaliajt është dakordësuar që së bashku me qytetarët e tij të protestojnë në lidhje me këtë çështje.
“Ndaj sot, banorëve të qytetit dhe të 53 fshatrave u them se jam plotësisht dakord me kërkesën tuaj për të protestuar. Jam dakord që sot, në orën 19:00, të mblidhemi te Ura e Vjetër, në hyrje të qytetit, për të mbrojtur të drejtën tonë dhe të ardhmen e Memaliajt.
Sot, më shumë se kurrë, në mbrojtje të Memaliajt. Sepse ka vendime që nuk ndërtojnë të ardhmen e një komuniteti; thjesht fshijnë nga harta atë që nuk kanë ditur ta zhvillojnë” shkruan Malaj në reagimin e tij.
Siç raportuam dhe ditën e djeshme, Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste depozitoi në Kuvendin e Shqipërisë projektligjin për ndarjen e re administrativo-territoriale që ul numrin e përgjithshëm të bashkive nga 61 ne 46. Në mesin e të cilave ndryshime të mëdha u bënë dhe në Gjirokastër, pasi Tepelena u bashkua me Memaliajn, çka ka sjellë pakënaqësi për banorët dhe kryebashkiakun e qytetit.
Reagimi i Albert Malajt vjen vetëm pak ditë pasi ai kundërshtonte shkrirjen e bashkisë së tij, duke argumentuar se qytetarët e tij nuk janë pyetur në lidhje me këtë çështje.
Të pakënaqur me propozimin e socialistëve kanë qenë dhe qytetarë të bashkive të tjera, përfshirë këtu Prrenjasin, Poliçanin e Klosin të cilët kanë lajmëruar protestë.