Netanyahu: Forcat speciale janë gati nëse tentohet arrestimi im diku jashtë Izraelit
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi se nuk ka frikë të udhëtojë jashtë vendit, pavarësisht urdhër-arrestit të lëshuar ndaj tij nga Gjykata Penale Ndërkombëtare (GJPN), duke shtuar se forcat speciale izraelite janë në gatishmëri në rast se do të tentohej arrestimi i tij.
Në një intervistë për Fox News, Netanyahu u pyet nëse shqetësohet nga mundësia që të detyrohet të ulet në një shtet që njeh juridiksionin e GJPN-së, për shembull në rast të një emergjence mjekësore.
“Po, e mendoj këtë. E dini, ne kemi forca speciale përreth. Kam shërbyer pesë vjet”, tha ai.
Kur moderatori Sean Hannity komentoi se ushtria izraelite është “mjaft e fortë”, Netanyahu u përgjigj: “Po. Le t’u japim një detyrë të re.”
Deklaratat e tij vijnë pasi kandidati për kryetar të Bashkisë së New York-ut, Zohran Mamdani, i bëri thirrje qeverisë federale amerikane të zbatojë urdhër-arrestin e lëshuar nga GJPN-ja ndaj Netanyahut në vitin 2024.
Pavarësisht kësaj, kryeministri izraelit konfirmoi se nuk ka ndërmend të anulojë vizitën e planifikuar në New York.
“Do të shkoj në Nju Jork. Do të them të vërtetën përballë këtij zyrtari të zgjedhur që përhap urrejtje”, deklaroi ai, duke akuzuar Mamdanin se po nxit përçarje dhe po kthen grupe të ndryshme të qytetarëve kundër komunitetit hebre në qytet.
Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi urdhër-arrest ndaj Netanyahut në nëntor 2024, duke e akuzuar për krime lufte, përfshirë përdorimin e urisë si metodë lufte dhe sulme të qëllimshme ndaj popullsisë civile në Gaza, si edhe për krime kundër njerëzimit.
Netanyahu i ka mohuar vazhdimisht akuzat, duke i cilësuar ato si “antisemitike”.