Kush është dentistja që mund të trashëgojë pasurinë e Epstein?
Karyna Shuliak, dentiste 37-vjeçare me origjinë nga Bjellorusia dhe partnerja e fundit e Jeffrey Epstein, mund të trashëgojë deri në 100 milionë dollarë nga pasuria e tij, sipas dokumenteve hetimore të publikuara nga autoritetet federale amerikane, raporton New York Times.
Shuliak ishte personi i fundit që Epstein telefonoi përpara se t’i jepte fund jetës në qelinë e tij në vitin 2019. Dokumentet tregojnë se ajo mund të përfitojë një pjesë të konsiderueshme të pasurisë së tij, përfshirë edhe një unazë diamanti 33 karatësh.
Sipas dosjeve, marrëdhënia mes tyre zgjati gati tetë vjet. Gjatë kësaj kohe, Epstein i siguroi mbështetje financiare, i pagoi studimet në Universitetin Columbia, i transferoi afro 1 milion dollarë, ndërsa u dërgoi dhjetëra mijëra dollarë edhe prindërve të saj në Bjellorusi.
Dokumentet tregojnë gjithashtu se Epstein ndërhyri për ta ndihmuar të pranoheshe në Fakultetin e Stomatologjisë të Universitetit Columbia dhe organizoi një martesë me një shtetase amerikane, me qëllim që Shuliak të siguronte qëndrimin dhe më pas shtetësinë amerikane.
Më vonë, një raport i demokratëve në Kongres ngriti dyshime se martesa mund të ketë qenë formale dhe e organizuar vetëm për arsye emigracioni, megjithëse autoritetet nuk kanë ndërmarrë hapa për t’i hequr shtetësinë amerikane.
Dosjet nuk tregojnë se Shuliak është konsideruar ndonjëherë bashkëpunëtore në trafikimin seksual të Epstein. Sipas materialeve të publikuara, ajo nuk është identifikuar si viktimë, nuk është akuzuar për ndonjë vepër penale dhe nuk ka të dhëna që FBI-ja ta ketë marrë në pyetje.
Pas vdekjes së Epstein, Shuliak u përpoq të vazhdonte jetën larg vëmendjes publike. Ajo përfundoi një program pasuniversitar në Universitetin Columbia, mori licencën për të ushtruar profesionin e dentistes në shtetin e New York-ut dhe punoi për një periudhë në një klinikë dentare në Brooklyn.
Megjithatë, pas publikimit të miliona faqeve të dosjeve hetimore dhe fotografive që dokumentonin marrëdhënien e saj me Epstein, ajo u largua nga puna dhe nuk u kthye më.
Pasuria e Epstein, e cila në kohën e vdekjes vlerësohej rreth 600 milionë dollarë, është reduktuar ndjeshëm pas dëmshpërblimeve të paguara për viktimat dhe aktualisht llogaritet mes 120 dhe 200 milionë dollarëve.
Përveç Shuliak, në testament përfshihen edhe përfitues të tjerë, mes tyre familjarë të vëllait të Epstein, Mark Epstein.