Një mijë herë me të çmendurit e budallenjtë, se sa me ju
Nga Altin Dangëllia
Mediat dhe analistët pranë Qeverisë, kanë bërë të gjitha përpjekjet, për të delegjitimuar një protestë që ka tronditur nga themelet jo vetëm politikën, por edhe vetë ekzistencën e tyre.
Fillimisht e injoruan atë, duke mos e transmetuar fare.
Pastaj kur e panë që u bë massive dhe nuk e fshihnin dot, filluan emisionet e përnatshme, duke u përpjekur ta manipulonin atë.
Pastaj filluan të merreshin me protestues të veçantë, herë duke nxjerrë ndonjë “kriminel”, pastaj ndonjë të “çmendur”, “budalla”, “drogaxhi”, e kështu me radhë.
Mjafton të dalë ndonjë protestues dhe të flasë përçart apo të thotë ndonjë marrëzi, dhe bëhet direkt lajm kombëtar, për të na treguar se ja kush janë këta që kanë dalë në protestë.
Po mor po, në protestë ka edhe njerëz të tillë.
Por ata janë një mijë herë më të mirë se ju.
Se ata të paktën dihet botërisht që janë të tillë, por nuk i kanë bërë keq kujt apo ndonjë dëm këtij vendi.
Ndryshe nga këta të mençurit që i shajnë natë për natë nëpër panele televizive apo portalet e tyre, që në rastin më të mirë janë të liq, pasi janë vënë në shërbim të një klike të korruptuar, dhe në rastin më të keq, janë bërë palë me politikën e korruptuar dhe paguhen prej saj, kundër interesit publik.
Ndaj po, më mirë ata të çmendurit, se ju!