Izraeli shqyrton blerjen e avionëve kundër nëndetëseve mes shqetësimeve për Turqinë
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) po shqyrtojnë mundësinë e blerjes së avionëve amerikanë Boeing P-8 Poseidon, të specializuar për zbulimin dhe luftën kundër nëndetëseve, në një kohë kur zhvillimet në flotën detare të Turqisë po konsiderohen gjithnjë e më shumë si një sfidë strategjike.
Sipas një burimi të cituar nga Jerusalem Post, në strukturat e mbrojtjes po zhvillohen diskutime për blerjen e avionit shumëfunksional, i projektuar fillimisht për Marinën amerikane.
P-8 Poseidon është ndërtuar mbi një platformë civile, por është përshtatur për misione ushtarake. Ai përdoret për patrullim detar, zbulimin e nëndetëseve dhe operacione të mbikëqyrjes në distanca të mëdha.
Avioni ka një ekuipazh prej nëntë personash dhe një rreze operacionale prej rreth 2 mijë e 200 kilometrash, e cila mund të zgjatet përmes furnizimit me karburant në ajër.
Ai është i pajisur me radarë të avancuar detarë, sensorë akustikë, sisteme elektro-optike dhe infra të kuqe, si edhe pajisje që mundësojnë zbulimin e nëndetëseve me motorë dizel. Gjithashtu, mund të mbajë torpedo, bomba dhe mina detare për goditjen e objektivave mbi dhe nën sipërfaqen e ujit.
Burimi theksoi se Izraeli zotëron aktualisht kapacitete të larta në luftën kundër nëndetëseve, por pranoi se blerja e P-8 Poseidon do të ishte një investim shumë i kushtueshëm në kushtet aktuale.
Sipas tij, mundësia e realizimit të këtij projekti do të rritej nëse avionët do të përfshiheshin në një marrëveshje më të gjerë strategjike ndërmjet Izraelit dhe administratës së Shteteve të Bashkuara.
Interesi për këtë platformë lidhet edhe me zhvillimin e flotës turke të nëndetëseve. Marina turke operon më shumë se 10 nëndetëse me motorë dizel-elektrikë, ndërsa po ndërton një gjeneratë të re nëndetësesh të pajisura me sistem Air Independent Propulsion (AIP), që u mundëson të qëndrojnë të zhytura për periudha më të gjata pa pasur nevojë të dalin në sipërfaqe.