Shqipëria drejt euros? Banka e Shqipërisë sqaron të vërtetën
Shqipëria ka nisur procesin e përafrimit të kuadrit ligjor me standardet e Bashkimit Evropian për funksionimin e bankës qendrore në një të ardhme kur vendi të jetë pjesë e Bashkimit Monetar Evropian.
Projektligji i ri “Për Bankën e Shqipërisë”, i hedhur për konsultim publik, përfshin për herë të parë një kapitull të posaçëm mbi anëtarësimin e Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Monetar Evropian dhe rolin që do të ketë Banka qendrore pas adoptimit të euros.
Drafti parashikon që, në momentin kur Shqipëria të bëhet pjesë e Eurozonës, euro do të jetë monedha zyrtare e vendit dhe Banka e Shqipërisë do të marrë përgjegjësinë për qarkullimin e kartëmonedhave dhe monedhave euro, në përputhje me rregullat e Bankës Qendrore Evropiane.
Megjithatë, Banka e Shqipërisë sqaron se përfshirja e këtyre dispozitave nuk do të thotë se Shqipëria është pranë kalimit në euro. Sipas saj, ky është një detyrim i procesit të integrimit evropian dhe pjesë e harmonizimit të legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Evropian.
“Ky kapitull nuk duhet konsideruar si një hap konkret drejt adoptimit të euros”, shprehet Banka e Shqipërisë në përgjigje për AP, duke theksuar se dispozita të tilla kërkohen nga vendet kandidate për anëtarësim në BE.
Sipas Bankës qendrore, kalimi në monedhën evropiane mund të ndodhë vetëm pasi Shqipëria të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian, të përmbushë kriteret e konvergjencës ekonomike të njohura si kriteret e Maastrichtit dhe të arrijë një nivel të mjaftueshëm zhvillimi ekonomik që lejon heqjen dorë nga politika monetare kombëtare.
Euro vetëm pas përmbushjes së kushteve
Banka e Shqipërisë thekson se nuk ekziston një afat i përcaktuar për adoptimin e euros dhe se procesi do të varet nga përmbushja e kushteve ekonomike.
Sipas saj, anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk sjell automatikisht hyrjen në Eurozonë. Disa vende të Evropës Lindore, si Çekia, Polonia, Hungaria dhe Rumania, edhe pse janë pjesë e BE-së prej vitesh, vazhdojnë të përdorin monedhat e tyre kombëtare.
Ndërkohë, vende si Kroacia, Sllovakia dhe Bullgaria kanë kaluar në monedhën e përbashkët evropiane pasi kanë plotësuar kriteret përkatëse.
Banka e Shqipërisë shpjegon se vendi duhet të arrijë një nivel të lartë të konvergjencës ekonomike përpara se të marrë një vendim të tillë. Kjo nënkupton se ekonomia shqiptare duhet të jetë në një linjë me ciklet ekonomike të Eurozonës dhe që struktura e saj financiare të jetë e përshtatshme për një politikë monetare të përbashkët.
Çfarë ndryshon për Bankën e Shqipërisë?
Projektligji i ri parashikon përafrimin e plotë të Bankës së Shqipërisë me sistemin evropian të bankave qendrore. Pas hyrjes në Eurozonë, kurdo kjo të ndodhë, Banka qendrore shqiptare do të zbatojë vendimet dhe aktet detyruese të Bankës Qendrore Evropiane.
Sipas Bankës së Shqipërisë, kjo nuk prek autonominë e politikës monetare në fazën e anëtarësimit në BE, por vetëm në momentin e hyrjes në Bashkimin Monetar Evropian.
“Anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk ka ndikim në autonominë e politikës monetare të Shqipërisë. Ndërsa adoptimi i euros nënkupton heqjen dorë nga ndjekja e një politike monetare të pavarur”, sqaron Banka në përgjigjen për Albanian Post
Me kalimin në euro, vendimet për normat e interesit dhe drejtimin e politikës monetare do të merren nga Banka Qendrore Evropiane, duke u bazuar në kushtet ekonomike të të gjithë Eurozonës dhe jo vetëm të ekonomisë shqiptare.
Përfitime dhe rreziqe për qytetarët dhe bizneset
Banka e Shqipërisë vlerëson se përdorimi i euros do të ulte kostot e këmbimit valutor dhe do të lehtësonte marrëdhëniet tregtare me vendet e tjera të Eurozonës.
Megjithatë, ajo paralajmëron se kalimi në monedhën e përbashkët evropiane sjell edhe kufizime. Shqipëria do të humbiste një nga instrumentet kryesore të menaxhimit të ekonomisë: politikën monetare kombëtare.
Sipas Bankës, nëse një vend nuk ka arritur konvergjencën e nevojshme ekonomike, mund të përballet me presione më të larta inflacioniste, luhatje ekonomike dhe probleme me borxhin privat.
Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë thekson se momenti i adoptimit të euros duhet të përcaktohet vetëm pas një vlerësimi të plotë të kostove dhe përfitimeve ekonomike.