1 Gusht, 2026

Arrestohet 57-vjeçari në Tepelenë, kultivonte kanabis në vazo mes kanioneve të Progonatit

 Arrestohet 57-vjeçari në Tepelenë, kultivonte kanabis në vazo mes kanioneve të Progonatit

Një operacion antidrogë i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Tepelenë ka çuar në arrestimin në flagrancë të një 57-vjeçari, i cili dyshohet se kishte kultivuar bimë narkotike në një zonë të thellë të kanioneve të fshatit Progonat.

Operacioni, i koduar “Rrjedha”, u finalizua pas një hetimi me metoda proaktive, të zhvilluar në bashkëpunim me Prokurorinë, me qëllim dokumentimin e veprimtarisë kriminale të të dyshuarit.

Sipas Policisë, në pranga u vu shtetasi I. M., 57 vjeç, banues në Tepelenë, i cili u kap në flagrancë në vendin ku kishte kultivuar 175 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa. Bimët ishin mbjellë në vazo dhe ishin vendosur në thellësi të kanioneve të Progonatit, në një përpjekje për t’i fshehur nga kontrollet policore.

Pas ndërhyrjes së efektivëve, të gjitha bimët narkotike u asgjësuan.

Në njoftimin zyrtar, Policia bën me dije se kontrollet në kuadër të planit anticannabis do të vijojnë në të gjithë territorin e qarkut.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, e cila do të vijojë veprimet e mëtejshme hetimore.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *