Suksesi real i ekonomisë së socialistëve, shpjeguar nga Fiqiriu!
Fiqiriu është ekonomist, nuk e njoh personalisht por një koment i tij plot humor e ironi, më kujtoi mësimin e vjetër se “Ekonomia nuk është gjë tjetër studim i punëve të zakonshme të jetës.
Ai shkruan:
“Edhe unë jam ekonomist, por analizën time nuk do e mbështesë mbi arsyetime dhe logjikë financiare.
Se sa i fortë është leku, unë e vlerësoj me fuqinë që kam për të mbajtur “trastën” e produkteve të “shportës, koshit apo kamionit”, quheni si të doni .
Me 30.000 lekë, para disa vitesh kërkoja ndihmë nga djemtë për ta ngjitur pazarin në banesë. Pastaj, kalonim me gruan një pasdite të tërë për t’i sistemuar nëpër vendet e tyre.
Tani, më duket se jam më i “fortë”, tamam si leku. Nuk kam më nevojë për ndihmë, produktet që blej me 30,000 lekë i ngjis i vetëm.
Ama, më duket po më “lënë” sytë! Mezi e gjej se ku e kam vendosur qeskën e vogël të riciklueshme të pazarit kur hyj në shtëpi.
Nejse, uroj të zbutet sado pak leku që nesër ta gjej më kollaj qeskën apo siç thuhet ndryshe atë pak “kaposh me plaçka”, se duhet t’i sistemoj”.