28 Korrik, 2026

“Kush ka frikë vdes çdo ditë” – Një përkujtim me shumë peshë në historinë e Drejtësisë dhe një leksion i madh për ne

 “Kush ka frikë vdes çdo ditë” – Një përkujtim me shumë peshë në historinë e Drejtësisë dhe një leksion i madh për ne

Nga Orgen Peci

Sot (dje) është vërtet një ditë plot peshë për historinë e drejtësisë. Më 19 korrik 1992, Paolo Borsellino dhe pesë agjentët e shoqërimit të tij humbën jetën në masakrën e Via D’Amelio, vetëm dy muaj pas vrasjes së mikut dhe kolegut të tij, Giovanni Falcone.

Sot, Italia dhe mbarë bota kujtojnë një nga plagët më të rënda të historisë moderne të drejtësisë: 34-vjetorin e masakrës së Via D’Amelio në Palermo.

Më 19 korrik 1992, një shpërthim i telekomanduar mori jetën e prokurorit antimafia Paolo Borsellino dhe pesë agjentëve të policisë që e mbronin atë: Agostino Catalano, Walter Eddie Cosina, Emanuela Loi, Vincenzo Li Muli dhe Claudio Traina.

Ky atentat brutal erdhi vetëm 57 ditë pas vrasjes së mikut dhe bashkëpunëtorit të tij të ngushtë, Giovanni Falcone. Ajo verë e përgjakshme e vitit 1992 ishte një shpallje lufte e hapur e Cosa Nostra-s ndaj shtetit dhe shoqërisë civile.

​Vetë Borsellino e dinte se pas vdekjes së Falcones, ai ishte i radhës. Miqtë dhe kolegët tregojnë se ai punonte me një ritëm të ethshëm në ditët e tij të fundit, sikur donte të fitonte garën me kohën që po i ikte. ​”Kush ka frikë vdes çdo ditë, kush nuk ka frikë vdes vetëm një herë.”
ishte shprehja e mbetur testament prej tij. Ajo përmbledh filozofinë e një njeriu që zgjodhi detyrën dhe dinjitetin përpara githçkaje.

Borsellino nuk ishte një hero i paprekshëm, por një njeri me frikëra si të gjithë ne. Ndryshimi qëndron tek aftësia e tij për ta shndërruar atë frikë në kurajë për të bërë gjënë e duhur.

Nëse mafia mendoi se duke hedhur në erë makinën e Borsellinos do të varroste edhe betejën e tij, historia provoi të kundërtën. Vdekja e tij shkaktoi një zgjim të paprecedentë të ndërgjegjes ndërkombëtare dhe asaj italiane. Gjenerata të tëra të rinjsh u rritën me idealet e tij, duke e kthyer emrin e tij në një simbol të pakompromis të ndershmërisë.

​Sot, pas më shumë se tri dekadash, figura e Borsellinos është një udhërrëfyes i gjallë për çdo sistem drejtësie që lufton me krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Edhe shoqëria jonë lëngon në kërkim të një drejtësie të vërtetë, të pastër dhe të guximshme. Përpjekjet e para janë bërë, por sakrifica e Borselinos është një leksion i madh që godet drejtpërdrejt plogështinë dhe kompromiset tona të përditshme.

Borsellino dhe Falcone na provuan se krimi i organizuar dhe korrupsioni në nivele të larta luftohen vetëm përmes njerëzve me integritet absolut, që janë të gatshëm të vendosin fatin e vendit dhe të ardhmen e fëmijëve mbi interesin apo sigurinë e tyre personale.

Nëse sot në Shqipëri kërkojmë me ngulm magjistratë, prokurorë e gjyqtarë që nuk përkulen para shantazhit dhe nuk joshin nga paratë e pista, modeli që duhet të ndjekim është pikërisht ai i Via D’Amelio-s. Drejtësia pa guxim është thjesht një iluzion, dhe pa njerëz si Borsellino, çdo shoqëri është e dënuar të mbetet peng e mafies dhe e korrupsionit.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *