Shuhet ‘Zonja e Pëllumbave’, aktorja që i rrëmbeu zemrën publikut
Aktorja irlandeze Brenda Fricker, fituese e çmimit Oscar për interpretimin në filmin My Left Foot dhe e njohur për rolin e saj si “Zonja e Pëllumbave” në Home Alone 2: Lost in New York, është ndarë nga jeta në moshën 81-vjeçare.
Lajmi u konfirmua nga agjenti i saj, i cili në një deklaratë për mediat shprehu dhimbjen për humbjen e aktores.
“Nuk do të shohim më kurrë një tjetër si ajo dhe bota është më e varfër pa të”, u shpreh ai, duke shtuar se kishte qenë një nder ta njihte, ta donte dhe të punonte me të.
Brenda Fricker lindi në Dublin të Irlandës në vitin 1945. Fillimisht ndoqi një karrierë në gazetari, por më pas iu përkushtua aktrimit. Roli i saj i parë erdhi në vitin 1964 në telenovelën e parë irlandeze, Tolka Row, duke nisur një karrierë që zgjati për më shumë se gjashtë dekada. Roli i saj i fundit në ekran daton në vitin 2024.
Për shumë fansa në mbarë botën, Fricker do të mbetet e paharrueshme si “Pigeon Lady” në Home Alone 2: Lost in New York, personazhi i dashur që krijon miqësi me Kevin McCallister dhe e ndihmon atë të përballet me hajdutët Harry dhe Marv.
Kulmi i karrierës së saj erdhi në vitin 1989 me filmin My Left Foot, ku interpretoi zonjën Brown përkrah Daniel Day-Lewis. Interpretimi i saj u vlerësua me një nominim për Golden Globe dhe i solli çmimin Oscar për Aktoren më të Mirë në Rol Dytësor.
Pas këtij suksesi, Brenda Fricker u bë një emër i njohur ndërkombëtarisht, duke interpretuar në filma të suksesshëm si So I Married an Axe Murderer, Angels in the Outfield dhe shumë produksione të tjera, duke lënë pas një trashëgimi të rëndësishme në kinematografi.