“Ti jeton në ‘Kopshtin e Edenit’ si faraonët” – Ish-ministri socialist: Babëzia e Ramës, kriminale
Ish-ministri i Financave dhe ekonomisti Arben Malaj ka reaguar ndaj vendimit të qeverisë për të financuar me 4 milionë euro koncertin e reperit amerikan Kanye West, duke kritikuar ashpër kryeministrin Edi Rama.
Në një postim në rrjetet sociale, Malaj shprehet se pretendimet për promovimin e Shqipërisë përmes këtij koncerti nuk qëndrojnë, duke argumentuar se, në epokën e inteligjencës artificiale, fama nuk blihet, por fitohet.
Sipas tij, Shqipëria përballet me probleme shumë më të mëdha, si cilësia e ulët e arsimit, kostot e larta të shëndetësisë, mungesa e ujit të pijshëm, vështirësitë e të rinjve për të blerë një banesë dhe vonesat në sistemin e drejtësisë.
Malaj ngre gjithashtu pyetjen pse shteti nuk investon në promovimin e figurave shqiptare me famë ndërkombëtare, si Dua Lipa dhe talente të tjera, në vend që të mbështesë një koncert të një artisti të huaj.
Reagimi i Arben Malajt:
Fama globale???
Nuk jemi në epokën e gurit. Ndoshta në epokën e mbretërve kryeministrorë, po.
Jemi në periudhën e inteligjencës artificiale, ku, brenda milionave të sekondës dhe me shumë pak para, mund të arrish në çdo cep të botës dhe te çdo individ i botës globale, për mirë ose për keq.
Ti jeton në “Kopshtin e Edenit”, si faraonët e mijëra shekujve më parë.
Ti jeton në kullën e fildishtë të arrogancës dhe të urrejtjes ndaj popullit tënd.
Jemi vendi i fundit në Evropë në testimin PISA, pra të fundit për cilësinë e arsimit.
Jemi të parët për koston e lartë të pagesave nga xhepi për faturat shëndetësore, me rreth 65% të kostos së ilaçeve.
Jemi të fundit për sigurimin e ujit të pijshëm në qytete dhe fshatra.
Jemi të parët për pamundësinë e blerjes së shtëpisë së parë.
Sepse ti ndoqe modelin: Shqipëria sa më e shtrenjtë dhe shqiptarët sa më të varfër.
Jemi të fundit në garantimin dhe gëzimin e pronës private.
Jemi të parët të ndëshkuar nga drejtësia e mohuar.
Jemi të fundit jo vetëm në Evropë, ku:
(i) drejtësia vonohet deri në 21 vjet; dhe
(ii) stoku i dosjeve të pashqyrtuara është rreth 200 mijë.
Para pak ditësh rezultuam të parët në Evropë për numrin e të rinjve që dëshirojnë të braktisin vendin e tyre.
Përqindja ishte:
(i) tronditëse;
(ii) shpirtërisht dërmuese;
(iii) ekonomikisht vrastare për ekzistencën tonë në të ardhmen, jo shumë të largët.
Janë mbi 67% e të rinjve që duan ta braktisin vendin e tyre.
Jemi në shekullin XXI, në shekullin ku fama nuk blihet, por fitohet.
Më shumë “famë” Shqipëria ka marrë nga flamingot sesa nga një këngëtar:
(i) me 400 milionë dollarë pasuri;
(ii) bipolar;
(iii) urrejtjenxitës; dhe
(iv) kontrovers.
Të cilin e braktisën kompanitë më të mëdha sponsorizuese, si Adidas, për nxitjen e antisemitizmit dhe lartësimin e Hitlerit.
Po pse nuk promovohet Shqipëria nëpërmjet Dua Lipës dhe talenteve të tjera me famë botërore nga trojet shqiptare?
Ti nuk financove këngëtarin.
Ti financove organizatorët.
Babëzia jote për pushtet, deri në përmasa kriminale, nuk ka kufij:
(i) etikë;
(ii) moral;
(iii) shoqërorë;
(iv) të përgjegjësisë buxhetore;
(v) të përgjegjësisë politike.
Koha është gjykatësi më i madh!
Kujdes nga mallkimi i njerëzve të varfër të vendit tonë!