14 Korrik, 2026

Hip-hopizimi i qeverisë, i vetmi sukses i Edi Ramës

 Hip-hopizimi i qeverisë, i vetmi sukses i Edi Ramës

Nga Ergys Mërtiri

Mirë që na grabisin 4.5 milion dollarë nga taksat tona, por na fyejnë inteligjencën me deklarata idiote, që e paraqesin Kanye West si lider i muzikës botërore. Dhjetëra postime nga Kryeministri, ministrat dhe mediat e propagandaës qeveritare po shesin West-in si të ishte Bob Dylan. Taulant Balla shkruan se Tirana mbrëmë u bë “kryeqyteti botëror i muzikë”, ndërsa një kronikë televizive e postuar prej tij thoshte se West është një prej muzikantëve më me ndikim të “dekadave të fundit”.

Në fakt, nëse ka arritur ndonjë majë në karierën e tij Kanye West, kjo ka qenë ditën e djeshme. Është e sigurt se as në fantazitë më të shfrenuara ai nuk e ka imagjinuar ndonjëherë se një Kryeministër, bashkë me të gjithë kabinetin qeveritar, do angazhohej duke bërë dhjetra postime për një koncert të tij. Kjo tregon vetëm se në çfarë katundi kulturor vegjeton kjo qeveri dhe çfarë gjendjeje injorance reflekton ajo.

I vetmi lajm interesant për median ndërkombëtare mbi këtë event, ishte fakti që koncerti u bë i mundur falë ndërhyrjes së qeverisë me 4.5 milion dollarë nga fondi i emergjencës. Ka qenë sigurisht tepër intriguese për publikun perëndimor të mësojë sesi një vend në Europë, bën çudira të tilla me paratë publike, çfarë ekspozon nivelin e tmerrshëm të provincialitetit që e qeveris.

E ndërsa qeveria shqiptare ndjehet se ka arritur “në kryeqytetin botëror të muzikës” me një koncert si ky, në Greqinë fqinje, vetëm për këtë vit, ka një kalendar koncertesh ku sipkasin emra si The Cure, Robert Plant, Chris Isaak, Pantera, Helloween, Gorillaz, The Offspring, Limp Bizkit, Savatage, Bad Religion, etj. përballë të cilëve Kanye West është vetëm një fëmijë.

Në fakt, është e sigurtë se, duke filluar nga vetë Edi Rama dhe pjesa më e madhe e ministrave repistë në qeverinë e tij, e kanë njohur Kanye West-in vetëm këto javët e fundit. Nëse ka ndonjë sukses politik ky Kryeministër është impakti kulturor në muzikë që ai ka tek ndjekësit e tij. Edi Rama po hip-hopizon socialistët, duke filluar me ministrat, grupin parlamentar, e me rrradhë deri tek i fundit patronazhist, të cilët, falë tij zbuluan tashmë një tjetër div të muzikës botërore, pas pas Noizit.

Në këtë kuptim Rama ka meritën e padiskutueshme të kultivimit të shijeve banale muzikore tek ndjekësit e tij. Për këtë arsye ia vlen që ai të rrëzohet, qoftë edhe vetëm për të mbrojtur publikun nga djarreja e shijeve të tilla.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *