14 Korrik, 2026

Si e ktheu Rama një koncert, në betejë për identitetin e Shqipërisë

 Si e ktheu Rama një koncert, në betejë për identitetin e Shqipërisë

Nga Klementin Mile

Edi Rama nuk po mbron koncertin e Kanye West-it.

Koncerti është vetëm preteksti. Objekti i vërtetë i komunikimit nuk është muzika, as 4 milionë eurot.

Por vetë arkitektura e konfliktit politik.

Kjo është arsyeja pse, sapo fillon ta lexosh deklaratën e tij, koncerti zhduket nga qendra e rrëfimit. Në vend të tij shfaqet një ndarje shumë më e madhe:

Shqipëria që ecën përpara kundër Shqipërisë që kërkohet të kthehet mbrapa.

Ky është momenti kur konflikti pushon së qeni administrativ dhe bëhet ontologjik.

Në një konflikt administrativ debatohet për vendimin.

Në një konflikt ontologjik debatohet për identitetin.

Rama nuk pyet “A ishte i drejtë financimi?” por, “Kush jemi ne dhe kush janë ata?”

Prandaj kundërshtari nuk paraqitet si një aktor me argument tjetër.

Ai transformohet në “sorrë”, “korb”, manipulator, uzurpator i protestës, madje edhe në aleat objektiv të atyre që nuk ia duan të mirën Shqipërisë.

Kjo nuk është thjesht retorikë, por operacion politik.

Sepse kur kundërshtari nuk portretizohet më vetëm si kundërshtar, por shndërrohet në pengesë të fatit historik të vendit, debati nuk është më për argumentet, po për legjitimitetin moral të palëve.

Paradoksi është se Rama e ndërton këtë narrativë duke përdorur njëkohësisht dy gjuhë krejt të ndryshme.

Nga njëra anë flet si teknokrat: shifra, investime, turizëm, ekonomi, rezervime, kthim financiar.

Nga ana tjetër flet si lider i një beteje ekzistenciale: armiq, helm, manipulim, kthim mbrapa.

Kjo është formula politike e tij:

racionalitet për të legjitimuar vendimin

dhe

emocionalitet për të legjitimuar pushtetin.

Prandaj, kush vazhdon të debatojë vetëm për 4 milionë eurot, ndoshta po debaton për çështjen e gabuar.

Sepse beteja e vërtetë nuk ka të bëjë më me koncertin.

Por me të drejtën për të përcaktuar

çfarë është Shqipëria,

kush flet në emër të saj

dhe kush përjashtohet nga kjo gjë.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *