“Palo burrë, hëngre edhe bukën e grekut” – Historia e pazakontë e aktorit të njohur gjirokastrit
Aktori Izet Mato kishte tri shtëpi. Një të vërtetë, nga ballkoni i së cilës shikonte ndeshjet e futbollit pa lekë; një në “18 Shtatori”, që mbante emrin kinoteatër; dhe tjetrën në Pazar, te Klubi i Gjuetarëve. Këto dy të fundit i kishte për humor dhe për të ‘rrema’. Nga humori zinte ditën e punës, nga të rremat historitë me thellëza, dhelpra e derra të egër.
Te Klubi i Gjahut kishte edhe grupin e posaçëm, atë që më shumë komandonte sesa merrte urdhra, por gjithnjë duke mbajtur marrëdhënie korrekte, sidomos me kryetarin e grupit, i cili ishte njëkohësisht edhe autoriteti kryesor në mbledhjet dhe konferencat e gjuetarëve.
Pas shumë vitesh, në krye mbeti Komandanti, me këtë emër qysh nga lufta partizane dhe në paqe: Thimjo Muçi.
Nga historitë e Izetit, jo si aktor e me role në skenë, por për narrativën e tij si gjuetar, kemi lënë disa shënime. Kishte shumë mburrje: “Vramë aq e kaq”, “poqëm e rropëm kaq e aq thellëza”, “ia punova kështu e ashtu”.
Ja njëra nga më “të vërtetat” që tregonte.
Kur shoqëroi një gjuetar grek, politikan të lartë në qeverinë e Andreas Papandreou, Izeti nuk mbahej. Mburrej si gjuetar, por edhe si njeri i besuar.
Pasi kishin bërë disa orë në mal, duke kërkuar e gjuajtur, u ulën për drekë. Izeti hapi trastën: dy-tri lloje byreku, mish të pjekur, djathë, dy duar me qepë të njoma e hudhra, një grusht me kripë e piper, domate e speca.
-Urdhëro të hamë! -i tha.
Greku ia ktheu me të qeshur:
-Më vonë, se s’kam oreks!
Kur ra dielli, greku u ul për të ngrënë. Nga një kuti nxori “vitamina”, siç i quante ai, ushqime të thata. Ndërsa Izeti hapi përsëri trastën me thela mishi, djathë, hudhra, qepë e erëza me shumicë, edhe për mikun.
– Këto,- i tha greku, duke treguar “vitaminat”,-janë sa të gjitha ushqimet që ke me vete. Provoji dhe do të bindesh!
-Haji vetë, se s’më zënë vend! -iu përgjigj Izeti, ndërsa me vete mendonte:
“Po ky? Unë me gjithë të mirat dhe ai s’cimbis as për provë!”
Këtë histori Izeti e shoqëronte edhe me shifra: “Vramë aq e kaq thellëza, lepuj e…”, por nuk guxonte të thoshte derra. Ndërsa betohej me be e rrufe se as ai vetë nuk i kishte vënë në gojë “vitaminat e grekut”.
Edhe pse ngulte këmbë, askush nuk e besonte. Përkundrazi, i thoshin me një zë:
-Palo burrë, hëngre edhe bukën e grekut!
Që nga ajo ditë, këtë histori Izeti nuk e tregoi më. Por fjala mori dhenë. Ziveri i pari e përcolli lart, e të tjerët poshtë, në gjithë shoqërinë e gjuetarëve.