Si romakët e para dymijë viteve shkruanin historinë në shkëmb dhe pavdekësi
E pabesueshme, por e vërtetë. Ti kthehesh dy mijëvjeçarë për t’i bërë pjesë e një ngjarjeje kulmore historike.
Dalin nga shkëmbi zëra që heshtja i ka kyçur në gdhëndje. Dëgjohen britma dhe e frymshmja e jetëve të murosura pëshpërinë.
Me daltë, djersë dhe durim, është shfletuar historia e një epopeje.
Fjala është formë dhe linja, është imazh dhe shëmbëllim.
Në vitin 113 pas Krishtit, Roma ngriti një kolonë prej mermeri, 29,5 metra të lartë, me një peshë që i kalonte 1.000 tonët, dhe më pas vendosi ta mbulonte çdo pëllëmbë të saj me rrëfimin e një lufte.
Kolona e Trajanit u ndërtua pasi Roma mposhti dakët, në territorin që sot është Rumania. Por, në vend që të shkruanin një fjalim triumfi ose të ngrinin thjesht një statujë të perandorit, romakët e shndërruan të gjithë fushatën ushtarake në një histori gjigante që ngjitet në formë spirale rreth monumentit.
Në të janë gdhendur më shumë se 2.500 figura.
Ushtarë që kalojnë lumenj. Ushtri që marshojnë nëpër pyje. Ura që ndërtohen. Kampe që ngrihen. Robër që merren peng. Të plagosur që marrin mjekim. Beteja, fjalime, flijime dhe Trajani që shfaqet vazhdimisht si njeriu që mban gjithçka nën kontroll.
Nëse do të shpalosej brezi i relievit prej mermeri që mbështjell kolonën, ai do të arrinte një gjatësi prej afro 200 metrash.
Prandaj të jep ndjesinë e një filmi.
Ka skena. Ka lëvizje. Ka qindra personazhe. Dhe çdo pjesë e tij është krijuar për të përcjellë një mesazh të vetëm.
Roma fitoi, Roma ishte e organizuar dhe Trajani ishte arsyeja e këtij triumfi.
Kjo kolonë prej 1.039 tonësh është e zbrazët në brendësi. Brenda saj ndodhet një shkallare spirale me 185 shkallë, që ngjitet përmes zemrës së mermerit deri në majë.
Ndaluni dhe mendoni për këtë për një çast.
Romakët transportuan blloqe gjigante mermeri, i vendosën njëri mbi tjetrin deri në një lartësi prej gati 30 metrash, gdhendën një shkallare të tërë në qendër të kolonës dhe më pas mbështollën pjesën e jashtme me një rrëfim lufte aq të hollësishëm, sa njerëzit vazhdojnë ta “lexojnë” edhe pas afro dy mijë vjetësh.
Pas vdekjes së Trajanit, hiri i tij u vendos në bazën e kolonës.
Kështu, kjo nuk ishte thjesht një vepër monumentale.
Ishte njëherazi filmi i tij, fjalimi i tij i fitores dhe varri i tij, të mishëruara së bashku në një kolonë që edhe sot duket thuajse e pamundur.
Po, e pamundur, sepse sot kemi shkëmb por na mungojnë shpirtra që shndërrohen në dalta, na mungon etja për të qenë të dehur nga pëtjetësia, sepse e sotmja na ka zbrazur nga çdo hapësirë ku të ndezim yje.
Albert Vataj