14 Korrik, 2026

Ukraina sulm masiv në Shën Petërburg, goditen depot e naftës

 Ukraina sulm masiv në Shën Petërburg, goditen depot e naftës

Ukraina ka goditur gjatë natës një terminal të madh nafte në Shën Petërburg, në veriperëndim të Rusisë, ka deklaruar presidenti Volodymyr Zelensky, duke e cilësuar si një objektiv kyç të infrastrukturës që “gjeneron të ardhura për luftën”.

Sipas autoriteteve ukrainase, sulmi u krye me dronë dhe ka përfshirë edhe një bazë të rëndësishme detare të Flotës Baltike në Kronstadt. Video të publikuara nga pala ukrainase tregojnë një shpërthim të madh dhe re të dendura tymi pas goditjes.

Guvernatori i Shën Petersburgut, Aleksandr Beglov, konfirmoi se qyteti u përfshi nga një “sulm masiv me dronë” dhe se terminali i naftës u godit, por nuk u raportuan viktima. Ai tha gjithashtu se mbi 70 dronë u rrëzuan në rajon dhe paralajmëroi ndërprerje të mundshme të internetit celular për arsye sigurie.

Ukraina ka intensifikuar sulmet me rreze të gjatë ndaj infrastrukturës energjetike ruse, duke pretenduar se gati 43% e kapaciteteve të rafinimit të naftës në Rusi janë nxjerrë jashtë funksioni – një shifër që nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur.

Nga ana e saj, Rusia nuk ka konfirmuar dëmet e plota, por Ministria e Mbrojtjes tha se ka rrëzuar qindra dronë ukrainas dhe e përshkroi ofensivën si një përpjekje për të devijuar vëmendjen nga situata në front.

Sulmi vjen në një fazë të re të luftës, ku Ukraina po synon gjithnjë e më shpesh objektiva strategjikë të energjisë brenda territorit rus, ndërsa Rusia vijon operacionet e saj në lindje të Ukrainës.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *