Dorëhiqja e parë nga Policia e Shtetit, pas protestave: Po iki sepse ky popull ka urrejtje ndaj policave, ne na shikoni si armiq!
Marius Dervishi, efektiv i Policisë së Shtetit dhe producent i njohur filmash, ka njoftuar përmes një postimi në Instagram se do të dorëzojë kërkesën për dorëheqje nga detyra. Vendimi i tij vjen në një kohë kur Policia e Shtetit është vënë në qendër të kritikave pas protestave të fundit në Shqipëri, ku ndërhyrjet e efektivëve kanë shkaktuar reagime të forta në opinionin publik.
Në postimin e tij, Dervishi shprehet se nuk largohet sepse nuk e do më profesionin, por për shkak të situatës dhe klimës së krijuar ndaj punonjësve të Policisë. Ai shkruan se nuk pajtohet me mënyrën se si, sipas tij, efektivët po paragjykohen dhe po konsiderohen të gjithë njësoj nga opinioni publik dhe media.

Dervishi thekson se ka zgjedhur të jetë një efektiv i denjë, por shton se mllefi dhe urrejtja ndaj Policisë e kanë shtyrë të marrë këtë vendim. Në fund të reagimit të tij, ai lë edhe një mesazh domethënës: “Çfarë nuk e sheh syri i kamerës, e sheh Zoti lart.”