14 Korrik, 2026

Si reagon “motra” Meloni në Itali pas protestave dhe si reagon Edi Rama

 Si reagon “motra” Meloni në Itali pas protestave dhe si reagon Edi Rama

Qeveria italiane ka anuluar lejen e lëshuar më 6 shkurt 2026 në kuadër të Zonës Ekonomike Speciale (ZES) për rezortin luksoz të parashikuar në Cala Finanza, përballë ishullit të Tavolarës në Sardenja.

​​Vendimi i Qeverisë vjen pas vendimit të Këshillit Bashkiak zonal.

Ky Këshill ka revokuar pas protestave masive vendimin e tij të nëntorit 2025, me anë të të cilit miratoi riklasifikimin urbanistik të zonës, një hap ky i domosdoshëm për realizimin e projektit.

Pasi u rrëzua leja në nivel lokal, edhe Palazzo Chigi (selia e qeverisë italiane) tërhoqi autorizimin e vet, duke e shndërruar atë që dukej si një pezullim i thjeshtë administrativ, në një bllokim definitiv të projektit.

​Ndërhyrja, e prezantuar nga shoqëria italo-braziliane Tavolara Bay Srl, parashikonte realizimin e një rezorti luksoz në afërsitë e “Villa Joy”, rezidenca historike me pamje nga Tavolara, e ndërtuar në fund të viteve Gjashtëdhjetë dhe e blerë së fundmi nga holding-u imobiliar brazilian JHSF.

​Anulimi vjen pas disa ditëve me protesta dhe kontestime të rrepta. U organizuan protestamasive në Cala Finanza, ndërsa në rrjet kishte nisur një mbledhje masive firmash për të kërkuar bllokimin e projektit.

Për kryebashkiakun Francesco Lai, revokimi i lejes përfaqëson «një fitore të bashkëpunimit mes institucioneve». «Është dëshmia – deklaroi ai – se kur pushteti lokal ushtron me seriozitet dhe rreptësi të drejtat e veta, pushteti qendror di të dëgjojë. Dhe di të korrigjohet».

​Kënaqësi u shpreh edhe nga ana e presidentes së Rajonit të Sardenjës, Alessandra Todde. «Për Cala Finanza patëm të drejtë. Sardenja pati të drejtë. Qeveria u përpoq të merrte një vendim që na takonte ne ta merrnim, por u detyrua të dorëzohej para reagimit dhe të bënte një hap pas», komentoi ajo.

Ndaj vendimit shprehën vlerësim edhe Lëvizja 5 Yjet (Movimento 5 Stelle), Legambiente dhe Italia Nostra.

Vetë kompania Tavolara Bay u shpreh «thellësisht e tronditur» dhe njoftoi se po vlerëson iniciativat ligjore që do të ndërmarrë, duke denoncuar «pasigurinë e kuadrit legjislativ».

Partitë qeverisëse Fratelli d’Italia dhe Forza Italia i hedhin poshtë akuzat ndaj qeverisë, duke pretenduar se procedura ZES e statusit special ishte nisur vetëm pas dritës jeshile të Komunës. Ata akuzuan qendrën e majtë dhe Lëvizjen 5 Yjet se po e përdorin rastin për qëllime propagande.

Bëhej fjalë për një “maxi-investim” që kap vlerën e rreth disa qindra milionë eurove. ​Sipas të dhënave të siguruara nga mediat (si L’Unione Sarda, Olbia.it dhe investigimet e fundit të gazetarëve italianë si Mario Gerevini), projekti i shtrirë në rreth 120 hektarë tokë bregdetare përfshinte: Një hotel me 5 yje (nën markën e luksit Fasano, partner i kolosit brazilian JHSF)..26 deri në 30 villa luksoze. ​Një fushë golfi. ​Një port jahtesh (porti turistik) dhe një klub plazhi (beach club).

Ajo që ka shkaktuar revoltë të madhe politike dhe publike ditët e fundit (përtej dëmit mjedisor në zonën e mbrojtur) është zbulimi i strukturës financiare.

Gazetarët italianë zbuluan se pas shoqërisë Tavolara Bay fshihen emra miliarderësh globalë (ish-drejtues të Kraft, pronarë të kompanive të birrës Corona e Budweiser) dhe llogari nëpër parajsa fiskale (Ishujt Virxhin, Bahamas, Maltë, Delaware).

Mbi të gjitha, në statutin e tyre është zbuluar një klauzolë për “kontribut qeveritar”. Pra, këta miliarderë kërkonin të ndërtonin resortin e tyre të luksit ekskluziv duke shfrytëzuar edhe para nga taksapaguesit italianë përmes fondeve të ZES (Zonës Ekonomike Speciale).

Ky detaj ka bërë që Ministri italian i Financave, Giorgetti, të deklaronte me ashpërsi se “për të kaluar kjo gjë, duhet të kalojnë mbi trupin tim”.

Kjo shpjegon edhe arsyen pse reagimi institucional dhe qytetar ishte kaq i skajshëm, duke çuar në bllokimin përfundimtar të këtij projekti.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *