14 Korrik, 2026

Mrekulli në Venezuelë, fëmija shpëtohet pas 6 ditësh nën rrënoja

 Mrekulli në Venezuelë, fëmija shpëtohet pas 6 ditësh nën rrënoja

Një fëmijë i mitur është nxjerrë i gjallë nga rrënojat në Venezuelë, gjashtë ditë pas tërmeteve të fuqishme që goditën vendin dhe shkaktuan shkatërrime masive në disa zona.

Sipas autoriteteve venezuelase, djali i identifikuar si Klieber Moran, rreth dy deri në tre vjeç, u shpëtua në orët e para të së martës nga ndërtesa Los Corales Garden në shtetin La Guaira. Ai është i vetmi i mbijetuar i raportuar deri tani në ditën e gjashtë të operacioneve të kërkim-shpëtimit.

Operacioni u krye nga ekipet e emergjencës, përfshirë edhe një njësi nga Jordania, ndërsa zyrtarët venezuelas konfirmuan se fëmija është transportuar për trajtim mjekësor në Caracas.

Venezuela u godit nga dy tërmete të fuqishme me magnitudë 7.2 dhe 7.5, që ndodhën brenda një minute nga njëri-tjetri javën e kaluar, duke shembur ndërtesa dhe duke bllokuar mijëra persona nën rrënoja.

Autoritetet thonë se bilanci i viktimave ka kaluar 1 mijë e 900 persona, ndërsa më shumë se 10 mijë të tjerë janë plagosur, por ekspertët paralajmërojnë se shifrat mund të rriten ndërsa vijon kërkimi në zonat e shkatërruara.

Agjencia e OKB-së për fëmijët, UNICEF, ka dërguar ndihma emergjente në vend, përfshirë pajisje mjekësore dhe furnizime për kujdesin e të porsalindurve dhe parandalimin e sëmundjeve. Sipas vlerësimeve të saj, rreth 680 mijë fëmijë kanë nevojë për ndihmë humanitare në të gjithë vendin.

Ndërkohë, Kombet e Bashkuara dhe organizatat humanitare kanë shprehur shqetësim për situatën e rënduar të të zhvendosurve, të cilët po jetojnë në kushte të vështira në strehimore të mbipopulluara ose në ambiente të hapura.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *