Rama dyshime se pas protestës qendron Erdogan, i ankohet ambasadorit turk
Qeveria miratuar dje transferimin e 88.5 hektarëve tokë shtetërore në Vlorë në dispozicion të kompanisë “Rams Albania”, për zhvillimin e projektit “Vlorë TEDA/RAMS Free Zone”.
Vendimi vjen në një moment të ndjeshëm politik dhe gjeostrategjik, kur burime diplomatike dhe të sigurisë flasin për pakënaqësi në Ankara ndaj qeverisë Rama, për shkak të afrimit të Tiranës me Izraelin në sektorët e mbrojtjes dhe turizmit, si dhe me Italinë në fushën e mbrojtjes, përfshirë Pashalimanin.
Sipas burimeve të Skyweb.al, në zyrën e Ramës kanë mbërritur sinjale se protesta të fundit kundër qeverisë mund të jenë nxitur ose mbështetur edhe nga elementë të lidhur me interesa ekonomike dhe fetare pranë rrethit të presidentit Erdogan.
Këto shqetësime, sipas të njëjtave burime, i janë përcjellë edhe kryeministrit Edi Rama përmes kanaleve të ndryshme të inteligjencës vendase, të cilat kanë perceptuar lëvizje intensive në këtë drejtim edhe në Tiranë.
Në këtë sfond, vendimi për projektin RAMS në Vlorë shihet jo vetëm si një lëvizje ekonomike, por edhe si një përpjekje për të ruajtur ekuilibrat me Turqinë dhe rrethin e biznesit pranë Presidentit Recep Tayyip Erdogan.
Javën e kaluar, Rama zhvilloi një takim me ambasadorin turk në Tiranë. Burime pranë zhvillimeve bëjnë me dije se pjesë e bisedës, krahas raporteve mes dy vendeve kanë qenë edhe pakënaqësitë e mundshme të Ankarasë, një dyshim i Ramës për furnizim të protestës me protestues nga influencat turke në Tiranë dhe ndikimi i rivalitetit rajonal mes Turqisë, Izraelit dhe Italisë në vendimmarrjet strategjike të qeverisë shqiptare.