14 Korrik, 2026

Rama e ka marrë goditjen dhe s’mbijeton dot më shumë se 1 vit, po PD ç’do bëjë?

 Rama e ka marrë goditjen dhe s’mbijeton dot më shumë se 1 vit, po PD ç’do bëjë?

Nga Erl Kodra

Ata që bëjnë sikur nuk i kuptojnë shkaqet e protestës, dhe shprehen të habitur se si mund të barazohet qeveria me opozitën, sinqerisht janë për gjynah.

“Opozita s’ka asgjë në dorë” – thonë. Dakort, po ose opozita ka 13 vjet që nuk po e bën këtë që po bëjnë njerëzit e lirë, 28 ditë protestë pandërprerje?!

“Askund në botë nuk protestohet kundër opozitës” – thonë.

Dakort, po pse në krye të opozitës kemi të njëjtin lider prej 36 vitesh?! Pse nuk ndryshojnë kurrë Tritan Shehu, Sali Berisha dhe kupola drejtuese e demokratëve?!

“Rama nuk rrëzohet, ai është autokrat, vjedh zgjedhjet dhe është i lidhur me krimin e organizuar” – thonë.

100 % e vërtetë. Po çfarë duheni nëse nuk e rrëzoni dot Ramën?! Pse nuk provoni njëherë të ndryshoni veten dhe të bashkoni ata njerëz rreth vetes?! Pse keni zënë vendin si opozitë kur nuk mund të përmbushni detyrat si opozitë?!

“Berisha është i ikur” – thonë.

“I ikur” dhe kryetar i opozitës?! Seriozisht?! Çfarë duhet të bëjmë ne, të lidhim fatin me djaloshat Tritan Shehu dhe Sali Berisha?!

Tani edhe diçka tjetër:

Kurrë nuk e kam kuptuar se si PD qëndron politikisht dhe moralisht në krah të Albin Kurtit – që është handikapi më i madh në mbarë politikën shqiptare. Ideologjikisht një demokrat nuk e lidhë asgjë me një neo-marksist. Strategjikisht është auto-gol mbështetja për Kurtin dhe VV. Kombëtarisht Kurti është njeriu më i rrezikshëm për interesat tona kombëtare. Dita kur Kosova do çlirohet nga Albin Kurti do jetë çlirim i dytë për Kosovën (dhe Maqedoninë e Veriut).

Rama e ka marrë goditjen dhe kurrë nuk ka shanse të mbijetojë më shumë se një vit. Tani është koha që opozita të reformohet realisht në mënyrë që të mbetet një alternativë serioze. Por kjo kërkon guxim; guxim dhe zgjuarsi.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *