Një letër skandaloze, e publikuar nga vetë Rama
Shqiptarët nga Kosova s’duhet të përzihen në demokracinë e Shqipërisë, por servilët nga gjithë bota janë të mirëpritur.
Arkitekti Reinier de Graaf, i studios holandeze OMA, i ka shkruar një letër nga zëmra Edi Ramës para zgjedhjeve. Aty arkitekti ndërkombëtar, që ligjëron edhe në Moskë, bën lutje që në Shqipëri të mos ketë më zgjedhje, të qeverisë edhe për mandatin e katërt, madje edhe të pestë, pse jo përjetë Rama, pse jo të shpallet dhe mbret.
Për këtë dëshirë të sinqertë arkitekti De Graaf tregon se niset nga interesi thjesht vetjak. “Ne arkitektët” thotë, varemi nga patronazhi politik, e ti po na jep punë. Në fakt Rama i ka dhënë De Graaf-it një lagje dendësisht monstruoze tej Ali Demit, me emrin “Mangalem 21”. Kaq mjafton që ai të dojë anulimin e demokracisë në Shqipëri dhe ta shpallë Ramën mbret. Dhe këtë e justifikon duke përmendur rrezikun nga autokracitë. Sipas mendjendriturit holandez, meqenëse autokracitë rrezikojnë zgjedhjet, le t’i anulojmë tërësisht zgjedhjet që të shpëtojmë.
E forta është që De Graaf i shkruan Ramës me tone ultraservile, duke i kërkuar falje që po e shqetëson me lavdata. Rama i kënaqun, e merr letrën e tij dhe e publikon te libri i vet kurratorial “The Albanian Files”, përndryshe lista e shumë krimeve urbane në Shqipëri.
Letra e publikuar në Albania Files/ Nga arkitekti Reinier de Graaf
Një letër e hapur drejtuar Edi Ramës
Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë
Roterdam, 3 mars 2025
I nderuar Shkëlqesi / i dashur Edi,
Të lutem më fal që po të drejtohem në këtë formë. Mund të mos më kujtosh; jemi takuar vetëm një herë dhe unë jam vetëm një nga shumë arkitektët e huaj që punojnë aktualisht në vendin tënd. Po të shkruaj për të shprehur mirënjohjen time për mundësinë që kam pasur të punoj në Shqipëri, si edhe admirimin tim më të gjerë për gjithçka që ke arritur që kur u bëre kryeministër pak më shumë se një dekadë më parë.
Nën qeverisjen tënde, Shqipëria ka fituar pothuajse statusin e një modeli. Grupe të shumta fetare dhe etnike jetojnë paqësisht së bashku; ekziston një ndarje efektive mes shtetit dhe fesë; një popullsi e re dhe në moshë pune e mban ekonominë në lëvizje; pjesëmarrja e grave në tregun e punës është e lartë dhe në rritje të vazhdueshme; Shqipëria po kërkon aktivisht anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe, për të mos harruar, ka një shije të shkëlqyer në arkitekturë.
Në një botë të trazuar, Shqipëria po fillon të duket si një përjashtim shpresëdhënës: bashkëpunim ndërkombëtar, vlera progresiste dhe, ndoshta më e rëndësishmja, mbështetje për arsyen – një fener i qytetërimit përballë sfidave.
Megjithatë, qëllimi i kësaj letre shkon përtej lavdërimeve. Po të shkruaj sepse jam i shqetësuar. Në këtë moment, partia jote po synon një mandat të katërt radhazi. Mund të shpresoj vetëm që ta arrijë. Është e vështirë të imagjinohet një qeveri e re që do të kujdeset për arkitektët po aq sa qeveria aktuale.
Profesioni ynë historikisht ka qenë i varur nga mbështetja politike dhe kohët e fundit më kanë kaluar nëpër mend disa mendime të zymta. Çfarë do të ndodhë nëse socialistët nuk i fitojnë zgjedhjet? A do të marrë fund papritur kjo Mekë e arkitekturës bashkëkohore? A do të thahet papritur ky burim i pashtershëm pune? A mundet që ArchArmy të dorëzojë armët, ashtu siç u mobilizua?
Nuk e them këtë lehtë, por për ne arkitektët do të ishte më mirë sikur zgjedhjet e ardhshme thjesht të anuloheshin. Madje do të shkoja edhe një hap më tej. Duke pasur parasysh statusin e qëndrueshëm të Shqipërisë si një mbrojtëse e ndritur e arkitekturës, profesioni ynë do të përfitonte shumë nëse vendi nuk do të kishte më zgjedhje. Dhe nëse ti, pas mandatit të pestë radhazi si kryeministër, do të vazhdoje thjesht si president i përjetshëm – ndoshta edhe si mbret.
Ngjarje të mëdha historike po zhvillohen ndërsa flasim. Autokracia po fiton me shpejtësi terren si forma përfundimtare e qeverisjes së shekullit XXI. Shpresat për një alternativë produktive po shkatërrohen dita-ditës. Duket se po dëshmojmë fundin e “Fundit të Historisë”. Në atë kontekst, lutja ime është sa e thjeshtë, aq edhe e drejtpërdrejtë: në një botë autokracish, a mund të kemi të paktën një autokrat dashamirës dhe me shije?
E di që ajo që po kërkoj nuk është një sakrificë e vogël, por është diçka me rëndësi të jashtëzakonshme. Shpresoj që ta marrësh në konsideratë.
Me respekt,
Reinier de Graaf
