Meloni-Macron, aleanca e re që “drejton” Europën
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kanë zhvilluar samitin e 36-të ndërqeveritar në Antibes, në Rivierën Franceze. Gjatë takimit dypalësh, dy liderët konfirmuan vullnetin e përbashkët për të forcuar bashkëpunimin strategjik, duke nënshkruar një sërë marrëveshjesh dypalëshe në sferën politike, ushtarake dhe ekonomike.
Sipas udhëheqësve të të dy vendeve, marrëdhënia dypalëshe ka një peshë specifike për të gjithë bllokun perëndimor.
“Pa Italinë dhe Francën, Evropa dhe Perëndimi nuk do të ishin ato që janë: ne jemi dy kombe të mëdha me interesa të përbashkëta.”, tha Meloni.
Mbi këtë bazë, presidenti Macron vuri në dukje domosdoshmërinë e këtij partneriteti për të ardhmen.
“Franca dhe Italia janë partnerë të natyrshëm dhe të domosdoshëm dhe ne duam ta projektojmë marrëdhënien tonë në të ardhmen me objektiva të qarta”, tha Macron.
Bashkëpunimi në mbrojtje, energji dhe siguri kufitare
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, palët specifikuan fushat kryesore ku do të shtrihet ky bashkëpunim i ri, duke nisur nga programet ushtarake dhe mbrojtja e përbashkët.
Samiti theksoi ‘bashkëpunimin mbrojtës: në mbështetje të Ukrainës, në operacionet paqeruajtëse dhe të sigurisë së përbashkët, dhe programet e përbashkëta të armëve’ siç janë raketat Aster dhe Samp-T, të cilat janë ‘histori suksesi’.
Në fushën e sigurisë dhe luftës ndaj trafiqeve të paligjshme, dy qeveritë ranë dakord për hapa konkretë operacionalë:
“Lidhur me sigurinë, ‘u vendos të krijohet një ekip i përbashkët italo-francez për të luftuar imigracionin e paligjshëm dhe ne kemi nisur së bashku një koalicion kundër drogës dhe trafikimit të drogës’”, theksoi presidenti francez.
Një tjetër pikë me rëndësi strategjike ishte energjia, ku po synohet rigjallërimi i sektorit bërthamor, si dhe koordinimi për situatën e sigurisë në Lindjen e Mesme.
“Franca ka zgjedhur energjinë bërthamore dhe në Itali ka një proces legjislativ që synon të ringjallë energjinë bërthamore. Për Libanin, Franca dhe Italia kanë një rol të veçantë sepse të dyja kontribuojnë në UNIFIL, dhe së bashku me kryeministren Meloni, duam të lançojmë një koalicion mbi një mekanizëm pas UNIFIL”, tha Macron.
Forumi ekonomik dhe volumi i shkëmbimeve tregtare
Paralelisht me takimin politik, në Le Cannet u zhvillua edicioni i parë i Forumit Ekonomik Francë-Itali, ku morën pjesë mbi 200 entitete publike dhe private. Pika kryesore e diskutimeve ishte volumi i shkëmbimeve tregtare dhe investimet e ndërsjella që lidhin dy ekonomitë e mëdha të Bashkimit Evropian.
Ekonomikisht dhe komercialisht, tregtia e mallrave tejkaloi 100 miliardë euro në vitin 2025, me investime të konsiderueshme.
Në kuadër të këtij forumi, delegacionet ministrore dhe udhëheqësit e sipërmarrjeve u fokusuan te sfidat e përbashkëta në industri, teknologji dhe hapësirë, duke nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi midis agjencive kombëtare të tregtisë dhe federatave të modës së të dy vendeve.