Komandot franceze sekuestrojnë një cisternë të “flotës fantazmë” ruse pranë Siçilisë
Forcat speciale detare franceze kanë sekuestruar një tjetër cisternë nafte të lidhur me të ashtuquajturën “flotë fantazmë” të Rusisë në Mesdhe, pranë brigjeve të Siçilisë.
Lajmin e bëri të ditur presidenti francez Emmanuel Macron, duke e cilësuar operacionin si pjesë të përpjekjeve evropiane për të penguar Moskën të anashkalojë sanksionet ndërkombëtare, përcjell Ynet.
Sipas Macron, anija Deliver, e cila lundronte nën flamurin e Kamerunit dhe ishte nisur nga porti rus Primorsk, u ndalua të martën pasi dyshohet se kishte shkelur ligjin detar.
Ky është rasti i pestë i sekuestrimit të një cisterne të tillë nga Franca që prej nisjes së operacionit kundër “flotës fantazmë” në shtator të vitit të kaluar.
Presidenti francez publikoi edhe pamje nga operacioni, ku shihen komando franceze që zbresin nga një helikopter dhe hipin në bordin e anijes.
“Ky veprim kundër flotës fantazmë, i ndërmarrë vetëm pak ditë pas një operacioni të ngjashëm britanik, tregon vendosmërinë e europianëve. Nuk do të lejojmë që kjo flotë të anashkalojë sanksionet dhe të financojë luftën e Rusisë,” deklaroi Macron.
“Flota fantazmë” përbëhet nga qindra cisterna, shpesh të vjetra, që përdorin flamuj të vendeve të ndryshme dhe struktura të paqarta pronësie për të eksportuar naftën ruse pavarësisht sanksioneve të vendosura pas pushtimit të Ukrainës. Sipas vlerësimeve perëndimore, kjo flotë përfshin mbi 700 anije dhe transporton rreth 75% të eksporteve ruse të naftës.
Moska i ka cilësuar vazhdimisht operacione të tilla si “pirateri”.
Ndërkohë, Franca dhe Britania vlerësojnë se sanksionet dhe kontrollet e shtuara kanë ulur ndjeshëm të ardhurat e Rusisë nga eksportet e naftës dhe gazit, të cilat ranë me 24% gjatë vitit 2025.
Në të njëjtën kohë, Ukraina njoftoi se ka goditur një objekt nafte në rajonin rus të Krasnodarit dhe dy rafineri në Ufa, rreth 1.500 kilometra larg kufirit ukrainas.
Presidenti Volodymyr Zelensky i cilësoi këto sulme si pjesë të një strategjie afatgjatë për të goditur industrinë energjetike ruse dhe për të rritur presionin ndaj Kremlinit që të angazhohet në negociata për përfundimin e luftës.
Nga ana tjetër, Kremlini mohoi raportimet se po ushtron presion ndaj Bjellorusisë për të zgjeruar përfshirjen e saj ushtarake në luftën në Ukrainë, duke i cilësuar këto pretendime si të pavërteta.