14 Korrik, 2026

Gjithë bota gabon, vetëm Edi ndriçon: Kryeministri, përballë bashkimit të madh të armiqve globalë!

 Gjithë bota gabon, vetëm Edi ndriçon: Kryeministri, përballë bashkimit të madh të armiqve globalë!

Nga Orgen Peci

I shkëlqyer për të ndërtuar narrativa mbrojtëse, shmangie totale e përgjegjësisë shtetërore. Fjalimi i sotëm i Edi Ramës përpara grupit parlamentar ishte një tjetër shembull i viktimizimit dhe zhvendosjes së përgjegjësisë.

KM-ja përdor lloj lloj trukesh gjuhësore për të shmangur thelbin e problemit, që është vendimmarrja e qeverisë që ai vetë drejton. ​“Shqipëria u bë zogu, ne u gjendëm në mes të saj, jo si protagonistë” – thotë kryeministri, duke e pozicionuar qeverinë si “skenë” ku po luhet një dramë botërore.

Fajin këtë herë e ka një bashkim i disa faktorëve globalë. KM-ja e zhvesh veten nga çdo përgjegjësi ekzekutive, harron (apo do që ne të harrojmë) se marrëveshjet e investimeve, lejet mjedisore dhe vendimet politike për t’i dhënë ato zona i merr qeveria shqiptare, jo “fati” apo “bota”.

Kryeministri nuk sheh në këtë protestë masive ndonjë shqetësim legjitim shqiptar. Kjo na qenka një luftë e madhe ideologjike ku Shqipëria është thjesht kolateral. Lexojmë fraza si: ​“Një projekt zhvillimi në Shqipëri u bë brenda pak ditësh pjesë e një lufte ideologjie që nuk ka lindur në Shqipëri…”. Apo ​“bota nuk u zgjua prej fatit të Nartës, por prej emrit të Kushnerit dhe hijes së vjehrrit të tij…”

Këtë të fundit e përdor rëndshëm si mburojë. Reagimi na vika nga “urrejtja globale” ndaj Trumpit. Çdo kritikë vendase apo e huaj qenka e verbër, emocionale, e nxitur nga mllefi. Kundërshtarët e projektit janë madje edhe analfabetë që udhëhiqen nga histeria e rrjeteve sociale. Ose janë “romantikë naivë” ose “bullistë online” që nuk bazohen në fakte.

Nuk përgjigjet kryeministri nëse projekti dëmton apo jo realisht zonën e mbrojtur, nëse janë falsifikuar apo jo kadastrat e pronave, nëse po përdoret apo jo fluksi kriminalizues i parave të kokainës, etj, etj.

Në vend që të paraqesë studimet e fizibilitetit apo impaktit mjedisor (faktet), ai sulmon gjendjen mendore dhe emocionale të atyre që kundërshtojnë.

Pastaj përdor të shkuarën si kontrast: ​“Të ishte për botën, Narta mund të kthehej qetësisht 10 vite më parë, kur flamingot nuk shtegtonin drejt lagunës së saj, se i priste plumbi i kafshëve të dehura me dy këmbë.

Medemek ky është më i mirë se ata që vrisnin flamingot para 10 viteve, prandaj mos i kërkoni llogari sot. Çfarë devijimi mediokër për të zhvendosur fokusin nga rreziku aktual i betonizimit të një zone të mbrojtur, te gjuetia e paligjshme e epokës së shkuar!

​Në fund, i pafaji Edi bën bashkimin e madh të “armiqve”:

“Bulevardi përputhi atë arenë të frikshme me krejt armatën e urrejtësve shqiptarë… I gënjeu mendja se çadra globale e kësaj proteste do të bënte mrekullinë që nuk e bëri dot çadra lokale e protestës së Lulit tim…”

E ka me Lulzim Bashën apo po i tregon popullit organin gjenital?

Shkurt, fajtor është rrjeti social, është algoritmi global, është urrejtja ndaj Trumpit, është opozita, janë mediat ndërkombëtare, injoranca e njerëzve, vapa në Sahara etj, etj.

I vetmi që nuk ka asnjë faj është Edi ynë, ky viktimë e madhe rrethanash e kohëve moderne.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *