Ministri Nufi në Bruksel: Shqipëria, aleate e besueshme në NATO dhe faktor stabiliteti në rajon
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka marrë pjesë në Takimin e Ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO, i zhvilluar në Bruksel, ku janë diskutuar prioritetet kryesore të Aleancës për forcimin e sigurisë kolektive në hapësirën euro-atlantike.
Në fokus të diskutimeve kanë qenë rritja e gatishmërisë operacionale, forcimi i kapaciteteve mbrojtëse dhe përshtatja ndaj sfidave të reja të sigurisë ndërkombëtare.
Në një deklaratë publike, ministri Nufi theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet aleatëve dhe modernizimit të forcave të armatosura si garanci për paqen dhe stabilitetin.
“Bashkëpunimi ndërmjet aleatëve, investimet në mbrojtje dhe modernizimi i kapaciteteve ushtarake janë garancia më e fortë për paqen, sigurinë dhe mbrojtjen e vlerave tona të përbashkëta”, u shpreh ai.
Ai ritheksoi gjithashtu angazhimin e Shqipërisë brenda NATO-s, duke e cilësuar vendin si një aleat të besueshëm dhe një faktor stabiliteti në rajon dhe më gjerë.
“Shqipëria do të vijojë të japë kontributin e saj të pandërprerë me përgjegjësi dhe vendosmëri në kuadër të NATO-s si një aleate e përkushtuar dhe e besueshme”, deklaroi Nufi.
Takimi në Bruksel vjen në një moment kur Aleanca po intensifikon diskutimet për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes dhe forcimin e kapaciteteve ushtarake përballë sfidave të sigurisë globale.