14 Korrik, 2026

Të vërtetat e pathëna përtej kanabisit në Lazarat

 Të vërtetat e pathëna përtej  kanabisit në Lazarat

Nga Armando Rabi

Qeveria e rilindjes kreu genocidin më të madh në historinë e këtij vendi ndaj fshatit Lazarat, një fshat nacionalist, patriot e atdhetar.

E nisën:

Me trumpetimin e ish-ministrit “kampion” : “E çrrënjosëm kanabisin, e pushtuam dhe e çliruam Lazaratin!”.

Këto fjalë ishin kryefjala e rilindjes në çdo dalje publike. Ky trumpetim vazhdoi për 4 vite me radhë, derisa në mandatin e dytë, ministri “kampion” doli çullak… dhe shkoi pas hekurave si trafikant droge.

Ende sot, pas 12 vitesh, banorët e këtij fshati kujtojnë terrorin, mllefin, diskriminimin, presionin dhe genocidin që policia banditeske kreu ndaj banorëve të Lazaratit.

Si të ishte një fshat serb, e jo një fshat me vlera, tradita, kulturë, trimëri dhe atdhetarizëm!

Një fshat që ka dashur dhe do lirinë dhe demokracinë, një fshat i pamoshtur për 50 vjet nga komunizmi, me internime e pushkatime, për shkak të këtyre parimeve dhe virtyteve që i ka të shenjta dhe nuk ka bërë e nuk bën kompromis për to.

Por historia do të përsëritej nga bijtë e etërve..!

Lazarati është luftuar në 1914 nga greku, në 1944 nga komunizmi, dhe si për ironi në vitin 2014 nga Rilindja!

Hajdutët me uniformë policie iu vërsulën Lazaratit me mercenarë me uniformë policie, ku përveç armatosjes që kishin bërë deri në dhëmbë, kishin marrë me vete dhe lugën në brez, të babëziturit e rilindjes, duke bërë atë që e pa gjithë bota: një shfaqje mediatike! Genocid, terror dhe diskriminim ndaj banorëve të Lazaratit duke i quajtur kriminelë burrat dhe djemtë e Lazaratit! Për kultivimin e kanabisit vendosën dënime kapitale për 300 burra, duke u dhënë mbi 2000 vite burg!

Pasi u futën në fshat, filluan kontrolle banesë më banesë, duke shkelur ligjin. Kryenin kontrolle pa urdhër prokurorie, pa prezencë prokurori! Gjatë kontrolleve në banesa, hynin si barbarë… mbi 20 policë të maskuar dhe armatosur, duke futur panik dhe lënë trauma te fëmijët, që qanin nga terrori që ata kryenin në çdo banesë, duke i ngritur nga gjumi çdo mëngjes njësoj si gjermani. Hynin për kontrolle pa lajmëruar, shqyenin dyer, dritare e portat e banesave.

Kur mbaronin kontrollin, vendosnin me spray në çdo portë një shenjë në formë (X), njësoj si nazistët gjermanë! E kur nuk gjenin njeri në banesa, i bastisnin, i grabisnin të babëziturit… ku janë ende sot video ku policët me uniformë policie veshin atlete, bizhuteri e rroba firmato që gjenin në banesa! Sepse nuk ishin policë, por hajdutë dhe mercenarë.

Ky terror e genocid ndaj këtij fshati vazhdoi për 1 vit rresht. Hajdutët me uniformë grabitën dhe plaçkitën çdo shtëpi të Lazaratit.

Atje ku gjenin kanabis, një pjesë e publikonin, pjesën tjetër e merrnin dhe e trafikonin vetë!

Pasi kaluan tre muaj, nuk iu dilte e keqja me Lazaratin! Filluan të ngrinin pika vrojtimi! Gjithsej ishin 5 pika vrojtimi në çdo cep të fshatit! A thua se kishin pushtuar një vend armik?!

Këto pika vazhduan për muaj me radhë, me turne çdo 24 orë, duke e shtuar terrorin dhe panikun ndaj banorëve të Lazaratit, pa asnjë lloj shkaku. Kanabisin e kishin mbaruar së “publikuari” dhe trafikuari po nga vetë ata! Ditë e natë në rrugët e fshatit dëgjoje vetëm zhurmat e blindave e shikoje vetëm Iveko të policisë që patrullonin çdo rrugicë, njësoj si Rusia në Ukrainë sot!

Rrugës çdo mëngjes, fëmijët për në shkollë i shoqëronin prindërit nga frika dhe tmerri që kishin marrë, dhe që hasnin çdo sekondë në rrugë nga blindat, Iveko dhe policët e maskuar e të armatosur! Kjo panoramë u bë rutinë për këta fëmijë! Të moshuarit, duke parë këtë terror të përditshëm, tregonin se dhe greku në 1914 nuk arriti ta bënte dot këtë që po bëjnë këta!

Për të dalë nga qendra e fshatit deri në rrugën nacionale, duhej të kaloje, pa ekzagjerim, dymbëdhjetë postblloqe policie! Ku për çdo postbllok duhej të ndaloje në kontroll fizik dhe të tregoje kartën e ID-së, njësoj si serbët në Kosovë! Kjo gjë vazhdoi për muaj me radhë, duke shkelur të gjitha të drejtat e njeriut!

Dhe askush nuk mbajti përgjegjësi për këto shkelje ligjore dhe të drejtave të njeriut!

Sot, kam një pyetje për këta rilindasit pushtetarë që i djeg shumë narko-trafiku dhe po e “luftojnë me mish e shpirt”!

Paradoksi është: Si ka mundësi që, pas gjithë pompozitetit eksitues se hoqët kanabizimin nga Lazarati, pse u mbush e gjithë Shqipëria me drogë??!!

Nga Vermoshi në Konispol, fusha e male, qytete e fshatra, si asnjëherë në historinë e këtij vendi, lulëzonte e lulëzon kanabisi në të gjithë Shqipërinë?!

Mund të ma thotë kush nga ju “pionerët” e “antikanabizimit” pse u mbush Shqipëria me kanabis dhe vazhdon prej 10 vitesh rresht?!

Tani, po bëjmë një analogji paksa unike në llojin e saj, por shumë domethënëse, me 10 vitet e kanabisit në Lazarat dhe 10 vite kanabis në të gjithë Shqipërinë! E cila duhet theksuar përtej paragjykimeve.

Po marrim anën negative të kanabisit, që dihet, ishte e dënueshme dhe e palejueshme dhe ka pasoja të rënda që sjell si për shëndetin ashtu dhe për shoqërinë, rendin e tj.

Tani, po marrim anën “pozitive” dhe disa statistika!

Për 10 vite në Lazarat kultivohej kanabis.

Por ajo që duhet theksuar nga ana pozitive është se Lazarati nuk është ai që disa pseudo-analistë në media dhe rilindasit e PS-së duan ta quajnë në këto 30 vite si: fshati rebel, njerëz të malit, republika e kanabisit.

Tani futemi në brendësi të anës pozitive dhe kush janë në të vërtetë banorët e Lazaratit!

Në 10 vite kultivim të kanabisit në Lazarat, nuk ndodhi një incident midis banorëve, asnjë konflikt që të degradonte në përdorimin e sendeve të forta apo përdorimin e armëve, ku dihej që Lazarati ishte i armatosur që prej vitit 1997, por këto armë kishin zënë ndryshk dhe nuk u përdorën asnjëherë!

Shteti dhe mediat gjithmonë e kanë quajtur Lazaratin një Kolumbi e vogël!

Por, nëse do ishte siç e kanë quajtur këto, duhet të kishte çdo ditë përplasje mes banorëve, siç është sot Kolumbia me grupe rivale e kriminale. A kishte në Lazarat grupe rivale? Jo!

Në 10 vite kanabis në Lazarat, hynin mbi 5 mijë punëtorë çdo ditë, me fëmijë, burra e gra!

A u cenua një punëtor i vetëm?

A iu mbajt një cent një punëtori?

A u dhunua ndonjë punëtore?

Lëre më të imagjinosh ekstremin të kishte dhunim a përdhunim?!

Në të gjitha këto pyetje, përgjigjja është JO.

Tani, po marrim 10 vite kanabis në të gjithë Shqipërinë!

Në këto 10 vite kanabis në të gjithë Shqipërinë, u plaçkitën, u vranë dhe u dhunuan punëtorë në hambarë në të gjithë Shqipërinë! Pasojat e këtij fenomeni janë ende dhe sot!

Prandaj, mësojeni njëherë e përgjithmonë se është një tregues real se kush janë në të vërtetë Lazaratasit! Njerëz të lirisë, të besës, mikpritës, bujarë e atdhetarë.

Nëse harrojmë të kaluarën, jemi të destinuar ta përjetojmë atë.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *