14 Korrik, 2026

Irani mund të përfitojë qindra miliarda dollarë nga marrëveshja e re me Trumpin

 Irani mund të përfitojë qindra miliarda dollarë nga marrëveshja e re me Trumpin

Një memorandum mirëkuptimi mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, i cili pritet të nënshkruhet zyrtarisht më 19 qershor në Zvicër, mund t’i japë Teheranit akses në përfitime ekonomike që arrijnë deri në qindra miliarda dollarë, sipas detajeve të publikuara nga Axios.

Dokumenti, i cili ende nuk është bërë publik në tërësi, synon të hapë një periudhë 60-ditore negociatash për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare mbi programin bërthamor iranian. Megjithatë, kushtet e tij kanë nxitur debat të fortë në Washington, ku kritikët pretendojnë se administrata e Presidentit Donald Trump po rikthehet te një formulë e ngjashme me marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, nga e cila vetë Trump u tërhoq gjatë mandatit të tij të parë.

Sipas Axios, një nga elementët më të rëndësishëm të memorandumit është mundësia që Irani të rifillojë shitjen e lirë të naftës gjatë periudhës së negociatave. Zyrtarët amerikanë kanë pranuar se do të jepen përjashtime të përkohshme nga sanksionet, duke i mundësuar Teheranit të gjenerojë të ardhura të konsiderueshme nga eksportet energjetike.

Megjithatë, Shtëpia e Bardhë mohon pretendimet e mediave shtetërore iraniane se fondet e ngrira iraniane do të zhbllokohen menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes.

“Ky është një mekanizëm i bazuar në performancë. Irani mund të përfitojë nga marrëveshja vetëm nëse respekton të gjitha angazhimet e marra, përfshirë heqjen dorë nga armët bërthamore, neutralizimin e materialeve të pasuruara dhe mosndërhyrjen në lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit”, citohet të ketë deklaruar një zyrtar amerikan për Axios.

Burime të njohura me tekstin e memorandumit kanë bërë të ditur se dokumenti parashikon gjithashtu që fondet e ngrira iraniane të bëhen të disponueshme pas zbatimit të kushteve të marrëveshjes, duke lënë hapësirë për interpretime mbi kohën dhe mënyrën e aksesimit të tyre.

Nëse negociatat përfundojnë me sukses dhe arrihet një marrëveshje e plotë bërthamore, Shtetet e Bashkuara janë zotuar të heqin gradualisht të gjitha sanksionet ndaj Iranit, sipas një kalendari që do të dakordësohet mes palëve.

Nga ana tjetër, Irani do të duhet të dorëzojë rezervat e uraniumit të pasuruar në nivele të larta, të ndalojë pasurimin e mëtejshëm dhe të pranojë një regjim të gjerë inspektimesh ndërkombëtare.

Pika më e diskutueshme e dokumentit mbetet krijimi i një fondi të mundshëm prej 300 miliardë dollarësh për rindërtimin dhe zhvillimin ekonomik të Iranit.

Sipas burimeve të Axios, ideja është propozuar nga Katari dhe është diskutuar prej javësh mes përfaqësuesve amerikanë, iranianë dhe vendeve të Gjirit. Fondi parashikohet të financohet kryesisht nga investime private të shteteve të Gjirit Persik dhe vendeve të Azisë Lindore, dhe jo nga taksapaguesit amerikanë.

Zëvendëspresidenti amerikan, J.D. Vance, ka deklaruar se fondi do të vihet në dispozicion vetëm nëse Irani mbyll përfundimisht programin e tij bërthamor, heq dorë nga uraniumi i pasuruar dhe pranon inspektime të plota ndërkombëtare.

Kritikët e marrëveshjes argumentojnë se administrata Trump po i ofron Iranit përfitime ekonomike të ngjashme me ato që përmbante marrëveshja e vitit 2015, ndërsa mbështetësit e saj këmbëngulin se çdo lehtësim do të kushtëzohet nga veprime konkrete të Teheranit dhe se nuk do të ketë pagesa apo fonde të pakushtëzuara.

Presidenti Donald Trump ka deklaruar se teksti i plotë i memorandumit do të publikohet pas nënshkrimit zyrtar të tij në Zvicër, duke i dhënë fund spekulimeve mbi përmbajtjen e marrëveshjes që mund të riformësojë marrëdhëniet mes Washingtonit dhe Teheranit pas viteve të tensioneve dhe përplasjeve.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *